Shqipëria “shkëlqen” në rajon – I lë pas të gjithë me shifra papunësie, rritje dhe inflacioni

Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka publikuar projeksionet më të fundit për ekonomitë e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore.
Ekonomia e Shqipërisë projektohet në një rritje prej 3.5% përgjatë këtij viti, nën projeksionet e qeverisë shqiptare dhe nën projeksionet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që flasin për një rritje pranë 3.7-3.8%.
Për dy vitet e ardhshme ndërkohë, Instituti i Vienës flet për një rritje ekonomike në 3.9% dhe 4%. Norma e papunësisë projektohet të bjerë në 14.8% gjatë vitit, dhe në 14.5 dhe 14% gjatë dy viteve të ardhshme.
Norma e inflacionit ndërkohë projektohet në 2.3% për vitin aktual, dhe 2.8% vitin e ardhshëm. Shifrat tregojnë se Shqipëria i mund fqinjët, në thuajse çdo indikator. Kur bëhet fjalë për normën e papunësisë, që është edhe një ndër indikatorët kryesorë makroekonomik por edhe të mirëqenies, Shqipëria i lë pas të gjithë, dhe rezulton si vendi me normën më të ulët të papunësisë në rajon, gjatë dy viteve të kaluara dhe gjatë vitit aktual.
Shqipërisë i afrohet vetëm Serbia, me një normë papunësie të projektuar në 15% gjatë këtij viti. Vendi me normën më të lartë të papunësisë në rajon rezulton të jetë Kosova, me një papunësisë në 25.8% të projektuar për këtë vit. Por ndërkohë që këtu zhgënjen, Kosova shkëlqen sa i përket rritjes ekonomike, duke u projektuar si ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon, prej 3.9% përgjatë këtij viti.
Ekonomia e dytë me rritjen më të shpejtë rezulton pikërisht Shqipëria, ndërkohë që mesatarja e rajonit fiksohet në 3%. Por, Instituti projekton që duke filluar prej vitit të ardhshëm, Shqipëria të bëhet në vendin me rritjen më të madhe ekonomike në rajon.
Edhe sa i përket normën së inflacionit, Shqipëria i lë pas fqinjët, duke u renditur në vend të parë. Shifrat tregojnë se ekonomia shqiptare është ajo më e qëndrueshme në rajon, ndërkohë që ndjekësja është padiskutim Serbia, që ofron po ashtu shifra mjaft pozitive.
Sa i përket rajonit në tërësi, Instituti i Vienës flet me tone mjaft pozitive, duke theksuar se ambienti i përgjithshëm mbetet i favorshëm, ndërkohë që situata, si ekonomike ashtu edhe financiare është stabilizuar ndjeshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.