Shqipëria, “xhungël” fiskale – Indeksi i kompleksitetit financiar 2018, ndër vendet e fundit në Europë

Shqipëria është një ndër vendet që ofron ambientin më të vështirë në Europë e më gjerë në botë për të bërë biznes, po ta bëjmë vlerësimin sa i përket rregullave financiare, kryesisht raportimeve dhe deklaratave tatimore të biznesit.
Indeksi i kompleksitetit financiar, i publikuar nga grupi “TMF” e rendit Shqipërinë të 14-tën në botë, ndër 94 ekonomi në të gjithë globin, ku 1-shi i referohet performancës më të dobët dhe 94-ta performancës më të mirë.
Në Europë, vetëm Italia, Franca, Turqia dhe Kroacia janë më keq se Shqipëria. Indeksi tregon kështu se sa të vështirë e kanë bizneset në vende të ndryshme të botës të merren me taksat e atij vendi, t`i përmbahen rregullave të raportimeve, të mbajnë bilancet e kompanisë si dhe të merren me transaksionet ndër-kufitare.
Ky është edicioni i dytë i publikimit të këtij indeksi dhe një vit më parë Shqipëria renditej e 13-ta në botë, pra një përmirësim mjaft i lehtë. Kështu, sipas TMF, Shqipëria nuk është aspak një vend optimal për biznesin në drejtim të menaxhimit të taksave dhe mënyrës së pagesës së tyre.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.