Shqipërisë i “mungon” Europa – Wiiw: Bashkë me Kosovën ndër vendet ku BE ka më pak peshë në stokun e IHD
Shqipëria është një prej vendeve që ka peshën më të vogël të Europës në investimet e huaja direkte, vetëm 53.9% të totalit në vitin 2018, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.
Kosova dhe më pas Mali i Zi janë të vetmet vende në pozita më të këqija se Shqipëria, veç Bjellorusisë, ndër vendet e Europës qendrore dhe lindore dhe juglindore thonë të dhënat e publikuara nga instituti i Vienës (Wiiw). Pozicionimi i Shqipërisë ndër vendet që kanë prezencë të ulët të Bashkimit Europian në stokun e investimeve të tyre të huaja direkte, vjen kryesisht si rrjedhojë e faktit që projekti më i madh në volum në vendin tonë, gazsjellësi trans-adriatik është i regjistruar si konsorcium në Zvicër, vend i cili nuk është pjesë e Bashkimit Europian.
Në vitin 2015 norma e prezencës së Bashkimit Europian në stokun total të investimeve të huaja direkte në vendin tonë fiksohej në 66%. Kosova nga ana tjetër mban rekordin mes të gjithave vendeve të analizuara për prezencën më të ulët europiane në investimet e huaja në vend, me vetëm 37%. Për vende si Polonia, Rumania, Bullgaria, apo edhe Serbia apo Maqedonia e veriut, norma ngjitet në mbi 70%, 80% apo edhe 90%, thonë të dhënat e Institutit të Vjenës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.