Shqipja si gjuhë zyrtare në Maqedoni – Projektligji parashikon përdorimin e gjerë dhe ndërrimin e kartmonedhave

Në Maqedoni vijojnë bisedimet për krijimin e qeverisë, ndërsa palët vazhdojnë të këmbëngulin në qëndrimet e tyre. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është takuar me kreun e LSDM-së Zoran Zaev, ku kanë biseduar për kushtet e formimit të qeverisë së re.
Ali Ahmeti, pas përfundimit të takimit, tha se tema kryesore e bisedës ishin diferencat mes dy partive, ndërsa zyrtarizimi i gjuhës shqipe mbetet kusht thelbësor.
Ahmeti u shpreh se kjo çështje meriton vëmendjen e duhur, ndaj nuk duhet nxituar në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga palët.
Projektligji për zyrtarizimin e gjuhës shqipe parashikon një përdorim të gjerë të saj, në të gjithë territorin e Maqedonisë.
Gjuha shqipe do të duhet të përdoret në simbolet kombëtare të shtetit, si monedha. Kjo nënkupton shtypjen e kartëmonedhave të reja nga Banka Qendrore.
Kërkesat në projektligj parashikojnë edhe përdorimin e shqipes në Kuvend, si në të folur dhe të shkruar. Në rastin kur drejtuesi i seancës është shqiptar, ai mund ta mbajë seancën në gjuhën shqipe, ndërsa aktet e nxjerra do të jenë të shkruara në dy gjuhë.
Po ashtu shqipja do të mund të përdoret edhe në qeveri, ku ministrat mund të flasin në shqip gjatë mbledhjeve. Edhe në këtë rast relacionet e qeverisë me institucionet e tjera duhet të jenë të shkruara në shqip. Kështu edhe vendimet e qeverisë që shkojnë drejt Kuvendit do të jenë dygjuhësore.
Edhe në gjyqësor parashikohet përdorimi i gjuhës shqipe, ku aktet noteriale do të kërkohen të jenë edhe në shqip. Por në seancat gjyqësore duket se zbatimi i kërkesave të projektligjit do të jetë më i vështirë, në varësi të palëve të përfshira në proces, ekspertëve, etj.
Të gjitha shkresat dhe dokumentet do të duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe, proces i cili do të ndihmohet nga krijimi i një zyre të veçantë që merret me përkthimin dhe dorëzimin e kërkesave të qytetarëve brenda një afati prej një ore.
Ndryshime do të ketë edhe në dokumentet personale të qytetarëve si certifikatat, pasaportat dhe letërnjoftimet. Ato do të jepen automatikisht në gjuhën mëmë të qytetarit, pa patur një nevojë për të bërë një kërkesë të veçantë.
Zyrtarizimi i shqipes në Maqedoni, do të thotë edhe përdorimin e saj në rajonet ku nuk jetojnë shqiptarët, psh. përdorimi i tabelave në dy gjuhë nëpër qytete, fshatra, apo zona të kalimit kufitar.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.