Shqiptarët argëtohen më pak – Në 6 muaj e parë, sektori në tkurrje në krahasim me 2016
Të dhënat e fundit të institutit të statistikave për Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë tremujorit të dytë të vitit konfirmojnë një tendencë vjetore; argëtimi i shqiptarëve është në rënie në krahasim me një vit më parë.
Ndër degët kryesore të ekonomisë, rënien më të madhe gjatë tremujorit të dytë e pëson pikërisht ajo për arte, argëtim dhe çlodhje, me plot 4.57%.
Madje, kjo kategori ka dhënë një kontribut negativ në rritjen ekonomike, që këtë tremujor preku nivelin më të lartë në 5 vite. Sikur shqiptarët të kishin shpenzuar për argëtim, jo më shumë, por aq sa një vit më parë, rritja ekonomike do të ishte të paktën 10 pikë përqindje më e lartë.
Trendi është i njëjtë me atë të tremujorit të parë të vitit, pra në rënie. Gjatë tre muajve të parë të vitit, kjo degë e ekonomisë u tkurr në krahasim me tre muajt e parë të 2016, me 0.39%, duke dhënë një kontribut negativ në rritjen ekonomike.
Kjo degë e ekonomisë, pra arte, argëtim dhe çlodhje lidhet ngushtë edhe me mirëqenien e popullsisë, çka do të thotë se, tkurrja e kësaj dege të ekonomisë sinjalizon një tkurrje të mirëqenies.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.