Shqiptarët braktisin Gjermaninë – Vendi më i kërkuar nga azilantët është Franca

Numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian për të kërkuar azil është i lartë edhe gjatë këtij viti. Të dhënat e Eurostat tregojnë se për tremujorin e parë të 2017-ës, janë 5440 shqiptarë, të cilët kanë kërkuar azil për herë të parë në një nga vendet e unionit.
Kjo shifër ka ardhur në ulje si nga e njëjta periudhë e një viti më parë (-16%), ashtu edhe nga tre muajt e mëparshëm (-22%).
Ndryshimi më i madh ke qenë në destinacionin që shqiptarët ndjekin për të kërkuar azil, ku Franca është bërë ndjeshëm vendi më i kërkuar. Janë pothuajse 3 mijë shqiptarë që kanë kërkuar azil për herë të parë në vendin europian. Shqiptarët në Francë përbëjnë shtetësinë me më tepër azilkërkues me 13%.
Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë më pas vendet kryesore ku shqiptarët kërkojnë azil, me përkatësisht 1035 dhe 425 azilkërkues për herë të parë.

Në raport me totalin e azilkërkuesve, shqiptarët zënë vendet e para edhe në Islandë, Lihtenshtajn dhe Irlandë.
Ndërkohë në të gjithë Europën, Gjermania dhe Italia janë dy vendet e preferuara nga azilkërkuesit që vijnë kryesisht nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme.
Kërkesat për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ardhur vazhdimisht në ulje, me Serbinë si vend origjine nga ku ka patur vetëm 1390 kërkesa të reja.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.