Shqiptarët, këta pasanikë në…letër! ‘Credit Suisse’ zbërthen treguesit e pasurisë që bënë shqiptarët në një vit

Nga Roel Korkuti/SCAN Magazine
‘Credit Suisse’ publikon çdo vit një raport të zgjeruar të pasurisë globale, ku në analizë merret thuajse çdo shtet i botës dhe ku detajohet pasuria e individëve në atë shtet të caktuar.
Edhe këtë vit, banka zviceriane ka bërë detyrën, duke publikuar pasurinë e gjithësecilit për 2019. Ashtu si çdo vit, ky publikim ngre pikëpyetje të mëdha, deri diku me të drejtë.
Jo gjithëkush e gjen veten te ky raport, i cili flet për një sasi të caktuar pasurie, e madje edhe të ndarë, në para “cash” e në pasuri jo-financiare. Ka të tjerë që e gjejnë.
Ka edhe ekspertë të cilët kritikojnë metodologjinë, e të tjerë që kritikojnë mënyrën e interpretimit të këtij raporti. Por, derisa të kemi një publikim të ngjashëm, Credit Suisse me raportin global të pasurisë mbetet treguesi kryesor i pasurisë së shqiptarëve dhe të ndarjes së saj sipas llojit, e sidomos sipas shtresave.
Shqiptarët, me rritje 11%
Një vit më parë, pasuria e shqiptarëve, për frymë, fiksohej në rreth 28 mijë dollarë, ndërsa sot në 31 mijë dollarë për frymë. Të paktën kjo është ajo që thotë ‘Credit Suisse’ në raportin global të pasurisë, që është edhe raporti më prestigjioz në këtë kategori në nivel global.
Rritja është në masën 11%. Edhe një vit më parë regjistrohej një rritje e ndjeshme, pasi në 2017 pasuria e një shqiptari mesatar vlerësohej në 25 mijë dollarë për frymë.
Pasuria totale e shqiptarëve vlerësohej në 62 miliardë dollarë një vit më parë, ndërsa sot në plot 70 miliardë dollarë, 13% më e lartë. ‘Credit Suisse’ përllogarit si pasuri jo vetëm atë financiare, por edhe pasurinë jo-financiare, e që në vendin tonë në pjesën dërrmuese i referohet pasurive të paluajtshme. `Credit Suisse` thotë se, pasuria financiare e shqiptarëve është rritur nga $4156 për frymë, në $4612 për frymë, ndërsa ajo jo-financiare nga $25.588 për frymë, në $28.396 për frymë.
Kjo do të thotë se, rritja e pasurisë së shqiptarëve me rreth 8 miliardë dollarë në harkun e një viti është kryesisht rrjedhojë e rritjes së çmimit të pronave të paluajtshme.
Për `Credit Suisse`, pasuria e një shqiptari të rritur ndahet kështu: $4612 pasuri financiare dhe $28.396 pasuri jo-financiare. Por, pasurisë i hiqet edhe borxhi neto i çdo shqiptari, që këtë vit fiksohet në $1.642 për frymë, nga $1480 të vitit të kaluar.
Të dhënat janë të përshtatura me kursin e këmbimit aktual duke i zhveshur nga çdo efekt i mundshëm i kursit të këmbimit. Në bazë të kursit të këmbimit janë përshtatur edhe shifrat e viteve të kaluara dhe jo vetëm të dhënat e vitit aktual.
Të varfërit bëhen shtresë e mesme, “fryhen” të pasurit
Të dhënat më të fundit të `Credit Suisse` tregojnë jo vetëm një pasurim të shqiptarëve në harkun e një viti, por edhe një forcim të ndjeshëm të shtresës së mesme, tkurrje të shtresës më të varfër, si dhe për herë të parë praninë e milionerëve.
Kështu, një vit më parë, shtresa e mesme, pra ata me një pasuri nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë vlerësohej në 42.4% të popullsisë së rritur, ndërsa sot në 57.9%.
Janë 1.3 milionë të rritur shqiptarë që vlerësohen si shtresë e mesme, nga rreth 900 mijë një vit më parë. Pra, rritja është drastike dhe tregon se shtresa e mesme është rritur me 370 mijë të rritur në harkun e një viti. Kjo përkon ekzaktësisht me tkurrjen e të varfërve. Ata me një pasuri nën 10 mijë dollarë vlerësoheshin në 56% të popullsisë së rritur një vit më parë, ndërsa sot në vetëm 38%, ose 377 mijë më pak.
Pra, duket se ata që janë larguar nga shtresa më e varfër e popullsisë janë bërë pjesë e shtresës së mesme, sipas të dhënave të `Credit Suisse`. Pjesa më e varfër e popullsisë numëron 850 mijë individë të rritur, sipas këtij raporti të bankës zviceriane. Sa i përket të pasurve, ata me një pasuri nga 100 mijë deri në 1 milionë dollarë, nga 1.6% e popullsisë së rritur që ishin vjet, tashmë vlerësohen në 3.9% të popullsisë së rritur, ose në rreth 88 mijë individë, nga 36 mijë një vit më parë.
Risia tjetër e raportit është numri i milionerëve, pra të atyre që kanë një pasuri mbi 1 milionë dollarë. Për herë të parë në raportin e Credit Suisse, kjo normë për vendin tonë, është ndryshe nga zero, në 0.1% të popullsisë së rritur. Kjo do të thotë se, janë 2250 individët në vendin tonë që kanë një pasuri mbi 1 milionë dollarë. `Credit Suisse` llogarit jo vetëm pasurinë “cash” të individëve, por edhe pasurinë jo-financiare, që në pjesën dërrmuese i referohet pronave të paluajtshme.
Jemi më të pasur se serbët
`Credit Suisse` e vlerëson pasurinë e shqiptarëve të rritur, për frymë, në rreth 31 mijë dollarë. Raporti më i fundit i pasurisë globale flet për një rritje rreth 11% të pasurisë së shqiptarëve në harkun e një viti, ku si pasuri vlerësohet edhe ajo jo-financiare. Por, si jemi krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe të botës, sipas këtij raporti të `Credit Suisse`?
Rezulton se jemi vendi i dytë më i pasur në rajon, dhe në vend të parë qëndrojnë malazezët, me 53 mijë dollarë për frymë, mes të rriturish. Pas tyre vijmë ne, me 31 mijë dollarë për frymë, ndërkohë që ndjekin boshnjakët me 27 mijë dollarë për frymë. Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut zënë tre vendet e fundit me nga 25 mijë dollarë për frymë.
Të paktën kjo është ajo që thotë `Credit Suisse`. Mesatarja e Europës, ndërkohë, fiksohej në 153 mijë dollarë për frymë, ose 5 herë më e lartë se pasuria e një shqiptari mesatar. Mesatarja e globit fiksohet në 70 mijë dollarë për frymë.
Në vend të parë në nivel global, si njerëzit më të pasur mbahen zvicerianët me rreth 560 mijë dollarë për frymë, të ndjekur nga qytetarët e Hong Kongut dhe amerikanët. Pjesa dërrmuese e vendeve të Europës Perëndimore, si Italia, Gjermania, apo Franca kanë një pasuri për frymë mes të rriturve mes 200 mijë dhe 300 mijë dollarëve.
Çfarë ka ndodhur me pasurinë globale?
Pasuria globale u rrit gjatë vitit të kaluar me 2.6%, në 360 trilionë dollarë dhe pasuria për të rriturit arriti një rekord të ri prej 70,850 USD, 1.2% mbi nivelin e mesit të 2018-ës, me Zvicrën në krye të fitimeve më të mëdha në pasuri. SHBA, Kina dhe Europa kontribuan më së shumti drejt rritjes së pasurisë globale me përkatësisht 3.8 trilion dollarë, 1.9 trilion dollarë dhe 1.1 trilion dollarë respektivisht.
Raporti i këtij viti siguron gjithashtu një zhytje të thellë në pasuri në shekullin XXI. Ndërsa shekulli filloi me një “epokë të artë” të krijimit të fortë dhe gjithëpërfshirës të pasurisë, rritja e pasurisë u rrëzua gjatë krizës financiare dhe kurrë nuk u rimëkëmb në nivelin e mëparshëm. Më shumë se gjysma e të gjithë të rriturve në të gjithë botën kanë një vlerë neto nën 10,000 USD, ndërsa gati 1% e të rriturve janë milionerë që zotërojnë kolektivisht 44% të pasurisë globale.
Sidoqoftë, tendenca drejt pabarazisë është lehtësuar dhe pjesa e 1% më të pasur është nën kulmin e fundit në 2016. Bazuar në faktet dhe shifrat që nga kriza financiare, rritja e pasurisë globale duket se është e lidhur ngushtë me PBB global. Inflacioni i çmimit të pasurisë dhe/ose zhvlerësimi i dollarit mund të përkëdhelin përkohësisht shifrat e rritjes së pasurisë, por nuk mund të ndryshojnë tendencat afatgjata.
Pasuritë financiare vuajtën më shumë gjatë krizës financiare dhe u rimëkëmbën më mirë në vitet e para të pas krizës. Këtë vit, vlera e tyre u rrit në çdo rajon, duke kontribuar 39% të rritjes së pasurisë bruto në të gjithë botën, dhe 71% të rritjes në Amerikën e Veriut. Sidoqoftë, aktivet jo-financiare kanë dhënë nxitjen kryesore të rritjes së përgjithshme në vitet e fundit. Gjatë 12 muajve deri në mes të vitit 2019, ato u rritën më shpejt se aktivet financiare në çdo rajon.
Pasuria jo-financiare llogaritet për pjesën më të madhe të pasurisë së re në Kinë, Europë dhe Amerikën Latine dhe pothuajse të gjitha pasuritë e reja në Afrikë dhe Indi. Borxhi i familjes u rrit madje më shpejt, me 4% në përgjithësi. Vlerësimet tona tregojnë se borxhi i familjeve u rrit në të gjitha rajonet dhe në një shkallë dyshifrore në Kinë dhe Indi. Pasuria totale u rrit në të gjitha rajonet vitin e kaluar. Amerika e Veriut shtoi 4.1 trilion dollarë në pasurinë e saj shtëpiake, nga të cilat 3.9 trilion dollarë erdhën nga Shtetet e Bashkuara. Kina dhe Europa kontribuan me 3 trilion dollarë amerikanë dhe Azia-Paqësori (duke përjashtuar Kinën dhe Indinë) me 825 miliardë dollarë.
Megjithë problemet ekonomike në Argjentinë dhe Venezuelë, pasuria në Amerikën Latine u rrit me 463 miliardë dollarë dhe në Brazil me 312 miliardë dollarë. Në terma përqindje, India (5.2%) dhe Amerika Latine (4.9%) u rritën me ritmin më të shpejtë, me Afrikën, Kinën dhe përfitimet e regjistruara në Amerikën e Veriut nga 3-4%.
Vlerësimi i dollarit amerikan është një arsye për këto rritje relativisht modeste. Pasuria e re në Kinë vlerësohet si 3.5 trilion dollarë në vend të 1.9 trilion dollarëve dhe fitimi në Europë bëhet 2.7 trilion dollarë nga 1.1 trilion dollarë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.