Shqiptarët pasurohen, Credit Suisse: Pasuria ngjitet në $24 mld, nga 22 mld vjet

Shqiptarët janë pasuruar në krahasim me një vit më parë, thotë Credit Suisse në raportin e fundit të pasurisë globale 2017, të publikuar ditën e Martë.
Raporti në fjalë është më i rëndësishmi në llojin e tij në nivel global, pasi bën një analizë të detajuar jo vetëm të pasurisë së një shoqërie të caktuar, por edhe shpërndarjen e kësaj pasurie, si dhe mundëson krahasim me vendet e tjera.
Rezulton se, pasuria e shqiptarëve për vitin 2017 fiksohet në 24 miliardë dollarë. Kjo përkthehet në një rritje të pasurisë së përgjithshme me 9%.
Shifra e vitit të kaluar, prej 22 miliardë dollarësh, i është përshtatur lëvizjeve të kursit të këmbimit dhe efektit inflacion. Kjo shifër e rendit Shqipërinë të 95-tën në botë, ndër 141 shtete të ndryshme.
Të dhënat tregojnë se, sot, një shqiptar i moshës mbi 18 vjeç, ka një pasuri mediane prej 8401 dollarësh, ndërkohë që një vit më parë, kjo pasuri fiksohej në 7640 dollarë për person.
Sa i përket pasurisë për frymë ndërkohë, rezulton se, Shqipëria renditet në vendin e 61-të në botë.
Në shifrën e pasurisë personale mediane përfshihet edhe pasuria jo financiare, që tradicionalisht ka një raport 80 me 20 kundrejt asaj financiare, pra parave. Pasuria jo financiare përfshin në pjesën dërrmuese pronat e paluajtshme.
Pasuria e përgjithshme e shqiptarëve, sipas analizës së Credit Suisse, vijon të mbetet ende larg nivelit të viteve 2007-2008, kur fiksohej në 30 dhe 25 miliardë dollarë respektivisht.
Përgjatë dekadës së fundit, pasuria ka pësuar luhatje të vogla, dhe gjatë 4 viteve të fundit rezultoi të jetë në një trend rritës.
Raporti i Credit Suisse nuk është publikuar ende i plotë dhe në ditët në vijim priten të dhëna mjaft interesante sa i përket shpërndarjes së pasurisë në popullsi, shtresave që janë pasuruar dhe atyre që janë varfëruar në një vit dhe milionerëve që janë shtuar dhe atyre që janë pakësuar në një vit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.