Shqiptarët, pritësit numër një – Kërkesat për azil, 89% rrinë në radhë për përgjigje

Shqiptarët janë të parët kur bëhet fjalë për normën e pritjes për kërkesat për azil. Në këtë përfundim arrin një raport i publikuar së fundmi nga “PEW Research Center”, që është një prej think tankeve më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Raporti i referohet viteve 2015-2016 dhe sqaron se, për shqiptarët norma e pritjes është 89%. Pra, ndërkohë që, ndër 80 mijë aplikime për azil, 5 mijë prej tyre kanë marrë një përgjigje negative, ose edhe pozitive në një numër mjaft të vogël rastesh, 75 mijë prej tyre, nuk kanë marrë qoftë edhe një përgjigje.
Normat e larta të pritjes janë edhe një prej problematikave më të mëdha mes vendeve të Bashkimit Europian, pasi përkthehet në kosto të larta ekonomike, duke qenë se vendet pritëse e kanë për detyrë që të strehojnë dhe ushqejnë azilantët. Kohëzgjatja më e madhe e pritjes, përkthehet në më shumë shpenzime për këto shtete.
Pas shqiptarëve të Shqipërisë, të dytët në listë, me një normë në 77% vijnë shqiptarët e Kosovës.
Nga të dhënat e Eurostat për azilantët në Bashkimin Europian gjatë 2016-ës , rezulton se nga 43265 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë në vendet e unionit, vetëm 3.1% e totalit u pranuan. Kjo vjen si pasojë e klasifikimit të Shqipërisë si një vend i sigurt origjine, pavarësisht se nuk i ka penguar shqiptarët të aplikojnë.
Por, kjo normë nuk është aspak e njëjtë në të gjitha vendet e rajonit. Italia ka normën më të lartë të pranimit të azilantëve shqiptarë, në 44.4%, pra thuajse gjysmën e kërkesave. Në Gjermani ndërkohë, norma e pranimit është në vetëm 0.52, në Francë, 14%. Belgjikë 8.5%, Holandë 0.6%, në Greqi 0.5% dhe Suedi 3.4%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.