Shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, kur do të nisë rindërtimi i tyre? Balluku: Presim vlerësimet e ekspertëve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako ishin në zonën e Manzës në familjen Sula, banesa e të cilëve sipas ekspertëve është bërë e pabanueshme për shkak të dëmeve të shkaktuara.
Balluku gjatë vizitës tha gjithashtu se e gjithë Qeveria, së bashku me kryetarët e bashkive dhe deputetët ndodhen në terren dhe po shkojnë në çdo shtëpi, jo vetëm për të siguruar banorët për mbështetjen e autoriteteve shtetërore por edhe për t’ju kërkuar atyre që të respektojnë vlerësimet e ekspertëve për sigurinë e ndërtesave duke u qëndruar larg atyre të cilat kanë rrezik të madh shembjeje.
Ministrja i siguroi familjarët, se janë marrë të gjitha masat, që sapo të përfundojë procesi i vlerësimit të dëmeve të nisë puna për rindërtimin e shtëpive të tyre, në mënyrë që të përfundohen sa më shpejt.
Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako bëri të ditur se në çdo grup të inspektimit i cili ndodhet në terren për të bërë verifikimin e banesave, ka pjesë të tij edhe një psikolog për t’ju gjendur në këtë mënyrë akoma dhe më pranë familjeve të dëmtuara dhe për t’i ndihmuar ata ta kalojnë sa më lehtë gjenden e rënduar psikologjike të shkaktuar si pasojë e lëkundjeve të tërmetit.
E.S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.