Shtetet që po “ushqejnë” revanshin – Kosova, Rusia dhe Zvicra “financuesit” kryesor të uljes së deficitit
Gjatë muajit Gusht deficiti i tregtisë së jashtme të Shqipërisë ka zbritur në 27.7 miliardë lekë. Por, kush janë shtetet që po ushqejnë uljen e deficitit? Në terma të përgjithshëm ato janë: Rusia, Zvicra dhe Kosova.
Dy të parat kanë kontribuar me një ulje të ndjeshme të importeve gjatë Gushtit, ndërkohë që Kosova ka kontribuar me një rritje të konsiderueshme të eksporteve. Deficiti tregtar në krahasim me Gushtin e vitit të kaluar është ulur kështu me 3.2 miliardë lekë.
Eksportet tona drejt Kosovës janë rritur nga 1.9 miliardë lekë në Gusht të 2017, në 2.8 miliardë lekë në Gushtin e këtij viti. Asnjë shtet tjetër nuk njeh një rritje kaq të madhe të importeve nga Shqipëria, sesa Kosova.
Në krahun tjetër ndërkohë, janë edhe vendet që kanë kontribuar në uljen e deficitit, nëpërmjet uljes së importeve. Në krye të kësaj liste janë pikërisht Zvicra dhe Rusia.
Në Gusht të 2017, Shqipëria importonte 1.4 miliardë lekë mallra nga Zvicra, ndërkohë që Gushtin e këtij viti kjo vlerë ka zbritur në vetëm 0.6 miliardë lekë.
Importet nga Rusia ndërkohë kanë zbritur në 1.4 miliardë lekë, nga 2.1 që ishin më parë. Edhe vendet jashtë Bashkimit Europian kanë dhënë një kontribut të madh në këtë tendencë të re të tregtisë së jashtme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.