Shteti, “vegël” në duart e biznesit – Studimi/ Politikat e qeverisë lënë pas dore qytetarët
Politikat dhe vendimet e marra nga qeveria me ndikim ekonomik, u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të sektorit privat sesa interesave të popullatës. Në këtë mendim janë rreth 76 për qind e qytetareve, të anketuar në studimin “Sistemi Ekonomik dhe roli i Shtetit në Shqipëri”. Ata e shikojnë shtetin më shumë si një instrument në duart e biznesit sesa si një aktor që ruan ndershmërisht balancën ndërmjet punës dhe kapitalit.
Politikat e pagave dhe të ndarjes së përfitimeve në ekonomi, politikat e taksimit dhe kapja e politikë-bërjes nga grupe interesash, përhapja e gjerë e kontratave të partneritetit publik privat në ofrimin e shërbimeve publike sipas praktikave të dyshimta të prokurimit, etj, duket se janë disa nga faktorët kryesore që kanë kontribuuar në këtë perceptim shumë të anësuar të rolit të shtetit.
Po ashtu, pyetjes nëse të pasurit në Shqipëri e kanë krijuar pasurinë me meritë, vetëm 8.8 për qind e qytetarëve i janë përgjigjur pozitivisht, apo më pak se 1 ndër 10 persona, duke dalë në konkluzionin se pasuria e krijuar pa mund dhe sakrificë është e padrejtë dhe krijon pabarazi. Ky perceptim i publikut mbi pandershmërinë në krijimin e pasurisë minon edhe besimin që qytetarët kanë tek demokracia dhe ekonomia e tregut.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.