Shtigjet e jugut do të pajisen me sinjalistikë të infrastrukturës turistike – Itinerari më i thjeshtë për turistët

Projekti i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për tabelizimin e itinerarit turistik Bosh-Bënç, do të kushtojë 7.8 milionë lekë dhe do të jetë gati brenda muajit Janar.
Përgjatë shtigjeve që lidhin dy fshatrat do të vendosen tabela historike, tabela natyrore e tabela treguese për vendndodhjen, ndërsa parashikohet edhe markimi në shtylla metalike për të orientuar në shtigjet malore.
Rruga është e gjatë rreth 60 kilometra, por pjesë e markimit do të jetë edhe itinerari nga Nivica në Majën e Këndrevicës dhe itineraret e Kanioneve të Nivicës.
Të gjitha këto janë zona natyrore piktoreske me një potencial të madh, veçanërisht për turistët e huaj dhe vendas që pëlqejnë ecjen malore apo përshkimin e rrugëve të vështira me biçikletë.
Në ndihmë të vizitorëve të shtigjeve, do të vendosen edhe tabela vështirësie që përcaktojnë nëse terreni mund të ndiqet vetëm nga të rritur, të rritur edhe fëmijë, nëse mund të përshkohet me biçikletë, apo nëse në dimër kërkon mjete të veçanta për shkak të dëborës.
Një shembull i sinjalistikës për këmbësorët është ajo e përfunduar tashmë në disa pika të ndryshme të malit të Dajtit, ku tabelat dhe shigjetat e lyera nëpër pemë tregojnë rrugën e duhur.
Posted by Shoqata Dajti Alpino Turistik on Thursday, April 13, 2017
Posted by Shoqata Dajti Alpino Turistik on Monday, May 15, 2017
Posted by Shoqata Dajti Alpino Turistik on Wednesday, June 15, 2016
Posted by Shoqata Dajti Alpino Turistik on Saturday, June 18, 2016
Një pjesë e mirë e turistëve që vizitojnë vendin tonë vijnë posaçërisht për ecje të tilla, por në mungesë të sinjalistikës, janë të kushtëzuar nga guidat turistike. Pushimet “në ecje”, siç quhen ndryshe, janë më të përhapura në veri të vendit, në Alpet Shqiptare, Bjeshkët e Namuna dhe veçanërisht pjesë e paketave turistike që e lidhin me disa vende të Ballkanit, si Mali i Zi dhe Kosova.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.