Shtimi i rasteve / A do t’i hapë Evropa kufijtë për Ballkanin Perëndimor më 1 korrik?
Shtimi i rasteve me COVID-19 e ka ndryshuar kryekëput qëndrimin që Bashkimi Evropian kishte për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Disa javë më parë, Shqipëria dhe shtetet e tjera të rajonit merreshin për shembull, për mënyrën se si e kanë menaxhuar pandeminë dhe për rastet e pakta me të infektuar.
Madje konsiderohej se situata në shtetet e Ballkanit Perëndimor është më e mirë se sa në disa vende të BE-së.
Komisioni Evropian para dy javësh kishte rekomanduar që kufijtë e brendshëm të BE-së të hapen jo më vonë se me datën 15 qershor, ndërsa ata të jashtëm gradualisht prej 1 korrikut.
Por tani situata ka ndryshuar. Kufijtë e jashtëm të unionit mund të mbeten të mbyllura për vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pas datës 1 korrik.
Rritja e shpejtë e numrit të të infektuarve me koronavirus, ka bërë që disa shtete të BE-së të marrin masa individuale dhe që në nivel të BE-së të vihet në pikëpyetje heqja e kufizimeve për hyrjen në BE të shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësi për çështje të migrimit në Komisionin Evropian, Adalbert Jahns, u shpreh se u takon vendeve anëtare të vendosin për heqjen apo jo të kufizimeve për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
“Rekomandimi nuk ishte vetëm për shkak të situatës epidemiologjike por edhe për shkak të raporteve të BE-së me atë rajon. Sa i përket situatës, ne jemi duke e ndjekur me shumë kujdes. Diskutimet në Këshill janë në vazhdim e sipër dhe në ato diskutime merret parasysh edhe situata aktuale epidemiologjike”, tha ai, raporton REL
Edhe pse Komisioni Evropian mund të paraqesë rekomandime, vendimi për të hapur apo jo kufijtë u takon vendeve anëtare. Disa vende anëtare të BE-së tashmë janë duke i rritur masat për kufizimin e hyrjes së shtetasve nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kështu ka vendosur Sllovenia, ndërsa Kroacia kërkon që personat që hyjnë në territorin e saj, e rrjedhimisht edhe në atë të BE-së, të dëshmojnë arsyen domosdoshme për një udhëtim të tillë.
Burimi: The Guardian
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.