Shtimi i turistëve reflektohet në vizitat në muze e parqe arkeologjike – Rriten edhe spektatorët në shfaqjet e institucioneve kulturore

Rritja e numrit të turistëve të huaj që vizitojnë bukuritë e vendit tonë gjatë vitit 2017 është pasqyruar edhe në vizitat e këtyre të fundit në pikat ku ekspozohen vlerat historike dhe kulturore.
Për periudhën Prill-Qershor, numri i vizitorëve në muzetë, kalatë, monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike ishte mbi 186 mijë, një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Më të frekuentuarat në stinën e pranverës kanë qenë parqet arkeologjike, me mbi 71 mijë vizitorë, ndjekur nga kalatë me 58 mijë dhe muzetë me 56 mijë vizitorë. Rritja e numrit të vizitave është e shtrirë në të gjitha këto pika.
Sakaq jeta kulturore përtej këtyre vizitave është gjallëruar ndjeshëm. Numri i spektatorëve në shfaqjet e institucioneve të ndryshme kulturore ka shënuar një rritje prej 34% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2016 dhe me 25% krahasuar me tremujorin paraardhës.
Megjithatë shifrat mbeten ende shumë të ulëta, me një audiencë prej vetëm 54 mijë spektatorësh në tre muaj.
Pavarësisht se të gjitha institucionet kulturore, me përjashtim të Teatrit Kombëtar Popullor, kanë ulur numrin e shfaqjeve, një pjesë e mirë e tyre kanë parë një rritje të numrit të vizitorë.
Kjo përkon me faktin se shfaqjet po shihen nga një numër gjithmonë e më i madh spektatorësh, tashmë në 249 spektatorë për shfaqje, shifër në rritje me 69.9% krahasuar me tremujorin e dytë të 2016-ës.
Audiencën më të madhe për periudhën Prill-Qershor e ka patur Teatri Kombëtar i Operat dhe Baletit me rreth 16 mijë e 700 spektatorë, ndjekur nga Teatri Kombëtar Popullor me 12 mijë e 500 spektatorë.
Ndërkohë, Teatri Kombëtar Eksperimental ka patur një rënie të numrit të spektatorëve, si pasojë e reduktimit të shfaqjeve në vetëm 76, nga 102 në tremujorin e kaluar.
Të dhëna shumë pesimiste vijnë ndërkohë nga Biblioteka Kombëtare, ku frekuentimi ka vazhduar rënien e ndjeshme. Në këto tre muaj, pavarësisht 661 titujve të rinj të botuar, ka patur vetëm 26 mijë vizitorë, gjysma e një viti më parë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.