Shtohen parkimet publike – “Tirana Parking” hap tenderin, do vendoset pranë “Infosoft”
Një tjetër vendparkim publik pritet t’i shtohet Tiranës, duke e çuar në 11 numrin e shesheve ku ofrohet ky shërbim. Agjencia Tirana Parking ka hapur tenderin për studimin dhe projektimit e tij, i cili pritet të vendoset pranë Infosoft në kryeqytet.
Afati kohor për dorëzimin e ofertave është data 11 shtator, ndërkohë që fondi limit kapin vlerën 555.000 lekë pa TVSH. Sipas njoftimit të kontratës, operatorët ekonomikë duhet të paraqesin zgjidhje inxhinierike efikase mbi bazën e një analize teknike ekonomike për të paktën 2 variante ne fazën e projekt-idesë dhe llogaritjeve përkatëse në plotësim të detyrës të projektimit.
Të ardhurat e Bashkisë së Tiranës janë rritur ndjeshëm pas vënies në përdorim të shesheve si vendparkime publike. Kështu, për 3-mujorin e dytë të vitit Agjencia “Tirana Parking” ka shitur 145 370 bileta në 10 sheshet aktuale.
Sipas të dhënave të raportuara nga kjo kompani rezulton se numri më i lartë i biletave është shitur gjatë muajit qershor, që përkon me hapjen e dy vendparkimeve të reja: atij të sheshit ‘Skendërbej’ dhe Bulevardit të Ri.
Vetëm gjatë këtij muaji, në sheshin Skënderbej janë shitur 17.128 bileta, çka do të thotë se minimalisht janë arkëtuar rreth 3.4 milion lekë, nëse kemi parasysh se 0-3 orë qëndrimi në këtë shesh kushton 200 lekë.
Në krahasim me 3-mujorin e parë numri i biletave të shitura rezulton në rritje, duke qenë se për periudhën janar-mars, kompania Tirana Parking raportoi 95.263 bileta të shitura, apo rreth 50 mijë bileta më pak se 3-mujori i dytë.
Tirana ndahet në 4 zona Administrimi për Parkim dhe 3 zona tarifore ku janë të përfshira rrugët, ku ka hapësira publike për parkim. Kapaciteti i vendparkimeve Publike në total është 24000 vende.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.