Shtohen rradhët e të papunëve – INSTAT: Shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt 2020 arriti në 11,8%
Shtohen rradhët e të papunëve në Shqipëri. Të dhënat zyrtarë të INSTAT flasin për një shkallë prej 11,8% në tremujorin e fundit të vitit. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,6 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë papunësisë u rrit me 0,2 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,7 % dhe për gratë 12,1 %.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e papunësisë për burrat është rritur me 0,4 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 1,1 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 21,7 % në rritje vjetore prej 0,3 pikë përqindje. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, 18,2 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,4 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 10,3 % në paaftësi të përhershme. Rreth 11,4 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,2 %.
Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2019 në tremujorin e katërt të vitit 2020, është -3,4 %. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 2, 8 % në sektorin e bujqësisë, me 5,3 % në sektorin e shërbimeve dhe me 0,5 % në sektorin e industrisë. Punësimi u rrit në sektorin e industrisë dhe bujqësisë përkatësisht me 1,4 % dhe 1,0 %, ndërsa pësoi ulje në sektorin e shërbimeve me 6,4%. Shkalla e punësimit për burrat është 67,8 %, ndërsa për gratë 52,9 %.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.