Shtohet “oreksi” për luks – Njerëzit po pasurohen, rritje e shitjeve deri në 4%

Shitjet e mallrave të luksit në nivel global projektohet të rriten me një normë nga 2 deri në 4% gjatë këtij viti. Kjo sinjalizon se ekonomia globale është në vrull.
“Europa është padiskutim kampione kur bëhet fjalë për mallrat e luksit. Duket se impakti i terrorizmit po zbehet dhe se turistët po rikthehen në kontinentin e vjetër”, shprehen ekspertët.
Spanja është një ndër vendet që po përfiton nga kjo, por edhe nga situata post-Brexit, që ka shkaktuar një rënie të paundit britanik.
Kudo, dhe konsumatorët lokalë kanë rifituar besimin e humbur, dhe kjo vihet re mjaft mirë në shitjen e markave të luksit. Kinezët blejnë 25% të këtyre produkteve, dhe ekspertët janë të mendimit se, deri në vitin 2025, kjo normë do të ngjitet në 35%.
Tendenca vihet re edhe nga rritja e numrit të turistëve kinezë që vizitojnë Europën. Kinezët jo vetëm që janë rikthyer në Europë, por tashmë po blejnë mallra luksi si asnjëherë më parë.
Aktorët dhe ekspertët e tregut shprehen mjaft optimistë për të ardhmen e sektorit. Bazat e rritjes janë aty dhe janë reale. Me rritje e të ardhurave dhe pasurisë neto të individëve, do të ketë më shumë oreks për mallrat e luksit nëpër botë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.