“Shtrëngohen” rregullat, Tatimet koordinohen me doganat për deklarimet e importeve e eksporteve në kohë reale! Apeli: Kujdes diferencat në deklarata

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paralajmëron tatimpaguesit që të tregojnë kujdes me deklarimet tatimore dhe doganore, në mënyrë që ato të mos kenë diferenca. Kjo për faktin se në sistemin elektronik të administratës tatimore është përfshirë komunikimi dhe transmetimi i të dhënave me sistemin elektronik të administratës doganore. Tashmë të dhënat nga sistemi doganor si për importin ashtu edhe eksportin e mallrave, janë të disponueshme edhe për administratën tatimore, raporton SCAN.
“Në sistemin elektronik CATS, transmetohen dhe përpunon në kohë reale jo vetëm të dhënat e deklaratave të importit e eksportit, marrë nga dogana, por edhe diferencat që rezultojnë për këto regjime, mes të dhënave që disponon dogana me ato që disponon administrata tatimore. Ky është një zhvillim teknologjik i rëndësishëm i cili ndihmon të dy administratat në rritjen e komunikimit përmirësimin e shërbimeve por edhe evidentimin e shkeljeve. Në këtë kuadër, sjellim në vëmendjen e tatimpaguesve, të cilët operojnë në regjim importi apo eksporti të mallrave, të tregohen të kujdesshëm dhe të saktë në deklarimet e tyre. Raportimet e tyre duhet të jenë të njëjta për të dy administratat, atë doganore dhe atë tatimore” shkruhet në njoftimin e tatimeve.
Në fund të njoftimit, Tatimet bëjnë apel për tatimpaguesit që të konsultohen edhe një herë me deklarimet e bëra, me qëllim korrigjimin për përputhjen reale të situatës, për të shmangur masat shtrënguese në rastet e mospërputhjeve.
Violeta Shqalsi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.