Shtrenjtimi i ofertave – Konkurrenca hap hetim ndaj celularëve

Më në fund, Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar ndaj shtrenjtimit pothuajse të njëkohshëm të ofertave nga operatorët celularë.
Përmes një vendimi të kësaj jave, Autoriteti ka njoftuar hapjen e hetimit paraprak në tregun e shërbimeve celulare me pakicë, për të verifikuar nëse ka shenja të një sjellje të bashkërenduar nga tre operatorët më të mëdhenj celularë në vend.
Pas disa ankesave të paraqitura, Autoriteti ka kryer një monitorim tregu, në përfundim të të cilit është vendosur të hetohet sjellja e operatorëve për periudhën nga 1 janari deri më 23 maj të këtij viti.
Mes fundit të marsit dhe fillimit të prillit, tre operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare, Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, kanë vepruar në mënyrë pothuajse të njëkohshme, duke rritur çmimin e paketës katërjavore të komunikimit për përdoruesit me parapagesë, nga 1000 në 1100 lekë.
Këta tre operatorë mbajnë rreth 95% të tregut sipas numrit total të përdoruesve. Duke qenë se shumica e shqiptarëve e përdorin celularin përmes ofertave, për shkak të tarifave standarde shumë më të larta, atëherë kjo automatikisht e rrit me 10% koston mujore të komunikimit.
Jashtë kësaj marrëveshjeje ka ngelur vetëm operatori i katërt, Plus Communication, por që ka një pjesë tregu shumë të ulët, me vetëm 5% të numrit të përdoruesve aktivë të telefonisë celulare.
Kjo është hera e dytë që operatorët veprojnë në mënyrë të bashkërenduar, pasi vitin e kaluar vendosën të shkurtojnë kohëzgjatjen e paketave nga një muaj kalendarik në 28 ditë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.