Shtyhen gjobat për 3 kategori biznesesh – Fiskalizimi, aplikimi i masave administrative pas Qershorit 2022
Administrata tatimore nuk do të aplikojë gjoba deri më 30 qershor 2022, për tre kategori subjektsh që nuk zbatojnë ligjin e fiskalizimit.
Qeveria ka miratuar vendimin ku thuhet se zbatimi i sanksioneve për kundërvajtjet administrative që lidhen me zbatimin efektiv të ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar, do të fillojë të aplikohet pas datës 30 Qershor 2022, për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe që nuk janë të regjistruar për TVSH-në, të cilët kryejnë vetëm shitje me para në dorë kundrejt konsumatorëve finalë, persona të patatueshëm; për tatimpaguesit që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; si dhe për bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpagues.” .
Sipas të dhënave nga administrate tatimore, numri i tatimpaguesve të Fiskalizuar që kanë lëshuar fatura nga 1 Janari e deri më tani është rreth 60 mijë, apo gjysma e subjekteve që e kanë detyrim. Ndërkohë, bizneset kanë afat deri në fund të Dhjetorit për të përmbyllur të gjithë procesin e Fiskalizimit, në të kundërt parashikohen masa administrative.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.