Shtyhet afati i aplikimeve – Financimi në bujqësi, investimet dy javë kohë më shumë

Ndërsa afati i aplikimit të fermerëve nga fondi i Skemave Kombëtare 2018 për mbështetjen e bujqësisë është përcaktuar 28 Marsi, sa i përket investimeve të mëdha, ky afat do të shtyhet.
Burime nga Ministria e Bujqësisë, bëjnë me dije se është menduar që të interesuarve t’u lihet rreth dy javë më shumë në dispozicion, duke qenë se për financimin e investimeve, aplikantët duhet të dorëzojnë dosje të kompletuara mirë në zyrat qendrore të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe që kërkojnë më shumë kohë për përgatitjen e dokumentacionit. Ndërsa për fermerët e tjerë, do të vijojë të jetë i njëjti afat, duke qenë se aplikimi bëhet online dhe me zero dokumenta.
Konkretisht nga shtyrja e afatit do të përfitojnë investimet në sera diellore, ambiente grumbullimi dhe ruajtëse frigoriferike, linja përpunimi, seleksionimi, paketimi, ndërtimi i thertoreve, i pikave të reja të grumbullimit të qumshtit etj. Për masat mbështetëse të investimeve në rastin e ndërtimeve/rikonstruksioneve aplikuesi duhet të ketë lejen përkatëse të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi, para lidhjes së kontratës.
Për investimet ku masa e financimit është me vlerë mbi 10 milionë lekë, investimi përkatës të jetë i siguruar të paktën deri në vlerën e financimit nga AZHBR-ja dhe ky kusht parashikohet në kontratën e lidhur me subjektin përfitues. Fondi I vënë në dispozicion për financimin e bujqësisë për vitin 2018 është rreth 20 milion euro.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.