Shtyhet Brexit! – May i kërkon Tusk një vonesë 3-mujore
Kryeministrja Theresa May, ka kërkuar një vonesë 3-mujore të Brexit, pas dështimit për të ratifikuar marrëveshjen në parlament, që la shkaktoi pasiguri mbi daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Pas 3 vitesh nga referendumi dhe 9 ditë nga dalja zyrtare, politikanët britanik po debatojnë ende për mënyrën se si do të dalin nga Bashkimi Europian. Kur Theresa May caktoi datën 29 Mars për divorcin 2 vite më parë, ajo deklaroi se nuk do të kishte kthim pas. Megjithatë, hezitimi i parlamentit britanik për të ratifikuar marrëveshjen, ka zhytur qeverinë e saj në një krizë. Theresa May i shkroi presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, për një vonesë të Brexit deri më 30 Qershor.
“Si kryeministre nuk jam e përgatitur për të vonuar Brexit përtej datës 30 Qershor. Për rrjedhojë, këtë mëngjes i kam shkruar presidentit të Këhsillit Europian Donald Tusk, për ta informuar se Mbretëria e Bashkuar kërkon një zgjatje të nenit 50 deri më 30 Qershor.”
Ajo tha se planifikon t’i kërkojë parlamentit që të votojë një herë të tretë për marrëveshjen e saj, por nuk dha detaje se kur do të ndodhë vota. Opozita ka thënë se zgjatja e shkurtër e Brexit po detyron parlamentin që të pranojë marrëveshjen e Theresa May. Mbështetësit e Brexit në partinë konservatore kanë kundërshtuar hapur shtyrjen e gjatë të divorcit, prej shqetësimeve se përmes kësaj, Brexit nuk do të ndodhë kurrë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.