Shtyhet deri në fund të 2020 afati i koncesionit për kolaudimin e makinave! Shpjegimet e Ministrisë së Infrastrukturës
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e autoritetit kontraktues njofton se ka nënshkruar një shtesë afati të kontratës me shoqërinë “SGS Automotive Albania”, si pjesë përbërëse e Kontratës së Koncesionit “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë”.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi, parashikimet e Kontratës bazë të Koncesionit si dhe kërkesën e shoqërisë “SGS Automotive Albania”, përfaqësuesit e MIE kanë zhvilluar disa takime negociuese me përfaqësuesit e kompanisë koncesionare, në lidhje me shtyrjen e afatit të kontratës.
Në përfundim të këtyre takimeve u vendos të nënshkruhej kontrata shtesë e Koncesionit, në të cilët palët kanë rënë dakord për ndryshimin e përfundimit të kontratës duke vendosur afatin e ri deri më datën 31.12 2020” njofton MIE.
Në kontratën shtesë përcaktohet se përgjatë periudhës koncesionare Autoriteti Kontraktues, në kuadër të liberalizimit të tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, mund të kryejë procedurat për lidhjen e një kontratë/marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, e cila do të nënshkruhet pasi të zgjidhet kontrata koncesionare.
Në këtë rast Autoriteti Kontraktues duhet të njoftojë koncesionarin 3 muaj para nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik.
Me përfundimin e afatit 3 mujor të njoftimit, kjo kontratë koncesionare konsiderohet e zgjidhur dhe koncesionari heq dorë nga çdo pretendim për këtë zgjidhje të kontratës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.