Shtyhet emergjenca e furnizimit me energji – Blerjet i mbeten KESH-it. Që prej shpalljes së krizës janë marrë 241.5 milionë euro kredi

Qeveria ka shtyrë gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji deri në fund të vitit. Vendimi u miratua në mbledhjen e datës 29 prill apo 2 javë më vonë nga përfundimi i efekteve ligjore të vendimit të mëparshëm, që u miratua në tetor të vitit të kaluar.
Shtyrja e gjendjes së emergjencës nënkupton se përgjatë gjithë vitit 2022 investimet e kompanive publike të energjisë do të mbeten të pezulluar, përveç atyre që konsiderohen si të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Gjithashtu, OSHEE, KESH dhe OST do të duhet të vijojnë koordinimin e ushtrimit të aktivitetit, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
Këtu përfshihet, edhe vendimi tjetër i qeverisë, që transferoi kompetencat për blerjen e energjisë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, te Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, si dhe autorizoi këtë të fundit për të zhvilluar një procedurë për marrjen me qira të një aseti të prodhimit të energjisë termike. Aktualisht, KESH ka deklaruar se ka finalizuar procedurën, që parashikon instalimin e 2 TEC-eve lundrues, që do të pozicionohen në Triport të Vlorës për një periudhë 2-vjeçare.
Periudha e emergjeencës u pasua edhe me marrjen e një sërë kredish për sektorin elektroenergjetik, me një vlerë totale prej 241.5 mln euro. 50 mln euro u morën nga Agjencia Franceze për Zhvillim, në mbështetje të reformës së sektorit. Po ashtu, gjatë muajit tetor 2021, OSHEE mori një hua prej 70 mln euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për reagimin ndaj krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Gjithashtu, OSHEE mori edhe 4 kredi të tjera që shkojnë për financimin e kapitalit punues, në kuadër të nevojave për import të energjisë, nga bankat e nivelit të dytë. Shuma totale e këtyre kredive arrin në 81.5 mln euro. Ndërkohë që, vetëm pak ditë më parë Kuvendi miratoi dhe marrëveshjen e kredisë prej 40 mln euro me KfW, për rehabiltimin e hidorcentralit të Fierzës.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.