Shtyhet fitimi i kapitalit për kompanitë – Pr.Ligji i Financave/ Procedurat dhe kush përfiton
Tatimi mbi fitimet e kapitalit për shoqëritë rezidente shqiptare që kryejnë operacione të bashkimeve, ndarjeve, ndarjeve të pjesshme, transferime të aktiveve dhe shkëmbime të aksioneve ndërmjet tyre, do të shtyhet. Ministria e Financave ka hedhur për konsultim projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për “Tatimin mbi të Ardhurat”, ku synohet transpozimi i legjislacionit fiskal të Bashkimit Europian në këtë drejtim, duke qenë se Shqipëria akoma nuk është anëtare e BE dhe si e tillë nuk mund të operojë me të njëjtat rregulla me shtetet e tjera anëtare në tregun europian.
Referuar relacionit shoqërues, ky ndryshim do të lejojë që bizneset shqiptare të rriten normalisht pa pengesa tatimore dhe pa krijuar rreziqe të panevojshme buxhetore. Sipas dokumentit, është e nevojshme që sa i përket këtyre operacioneve, të parashikohen rregulla tatimore që janë asnjanëse nga pikëpamja e konkurrencës, në mënyrë që të lejohen sipërmarrjet të përshtatin kërkesat e tregut të brendshëm për të rritur produktivitetin e tyre dhe për të përmirësuar fuqinë konkurruese në nivel ndërkombëtar.
Projektligji përcakton se “Çdo pagesë e cilësuar në të holla që është marrë në lidhje me shkëmbimin e aksioneve, një bashkim ose ndarje, njihet si një fitim kapitali i tatueshëm deri në një shumë të barabartë me diferencën midis çmimit të tregut të aksioneve të marra dhe të çmimit të blerjes së aksioneve të transferuara’. Në këtë pikë, citohet se “Fitimi i kapitalit i realizuar nga transferimi i aktiveve dhe pasiveve të biznesit në lidhje me një inkorporim/përthithje, një transferim i një dege apo degëve të veprimtarisë, një bashkim ose një ndarje, mund të shtyhet deri në shitjen e këtyre aktiveve dhe pasiveve nga shoqëria pritëse.
Kjo shtyrje e tatimit bëhet me kërkesën e të dy kompanive si ajo transferuese dhe ajo pritëse në administratën tatimore, ku shoqëria pritëse bie dakord që të vazhdojë vlerësimin e aseteve dhe detyrimeve të transferuara të marra me vlerën e tyre kontabël në momentin menjëherë para se të ndodhë transferimi”.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.