Shtyhet koncesioni i TEC-it! Ministria: Shkak largimi i drejtorëve, afat i ri për dorëzimin e dokumenteve
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtyrë me 10 ditë afatin e dorëzimit të ofertave nga kompanitë e interesuara për koncesionin e Termocentralit të Vlorës. Gjatë shpalljes së garës, afati përfundimtar ishte 28 shkurti, ndërkohë që tashmë dokumentet mund të dorëzohen deri në datën 10 mars.
Ministria e argumenton këtë shtyrje me ndryshimet e drejtuesve që u bënë së fundmi në institucion, që përfshinë ndër të tjera dhe largimin e drejtoreshës së koncesioneve Etleva Kondi, e cila në këtë rast ishte edhe personi përgjegjës. Ndërkohë që, burime pranë këtij dikasteri bëjnë me dije për SCAN se shkak për shtyrjen e afatit është bërë edhe interesi që kanë treguar kompanitë, por edhe paqartësitë që kanë pasur në lidhje me procesin dhe dokumentet që duhet të dorëzonin.
Me hapjen e garës koncesionare Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpreson lidhjen e kësaj vepre energjetike me gazin, si e vetmja mënyrë e vlerësuar nga studimi i fizibilitetit dhe ekspertët ndërkombëtarë për ta vënë në punë. Sipas studimit të fizibilitetit, vlera e koncesionit për rehabilitimin dhe vënien në funksion të Termocentralit të Vlorës pritet të jetë 72 mld lekë apo rreth 59 mln euro.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.