Shtyhet me një javë fillimi i Universiteteve – Kushi: 11-17 tetor të fokusohemi te vaksinimi i studentëve

Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka bërë me dije se kur do të nisë viti i ri akademik.
Njoftimi i plotë:
“Së pari dua t’ju falënderoj të gjithë ju që i jeni bashkuar procesit të vaksinimit dhe po na ndihmoni që së bashku t’i rikthehemi normalitetit në të gjitha universitetet e vendit. Meqënëse fillimi i vitit të ri akademik po afron dhe ne duam që të gjithë ju, pa përjashtim, të hyni në auditore pa rrezikuar shëndetin tuaj dhe të stafeve akademike, javën e ardhshme e kemi shpallur si “Java e vaksinimit masiv të studentëve”, ka shkruar Kushi.
“Shumë faleminderit edhe një herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që shprehu menjëherë gatishmërinë që në të gjitha fakultetet dhe universitetet e vendit të vendosë në dispozicion ekipet e tyre të vaksinimit, për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij procesi” ka thënë ministrja.
“E që kjo javë të jetë sa më produktive, me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve”, njofton ministrja.
“Nga universitetet do të kërkoja sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, për të venë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit, ndërsa studentëve do t’u lutesha me gjithë zemër e do t’i inkurajoja fort që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi të re, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë e i suksesshëm”, njofton Kushi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.