Shtyhet shitja e Alitalia – EasyJet, Lufthansa dhe Wizz Air shfaqin interes, shqyrtohen ofertat
Ministria e Industrisë në Itali deklaroi se po shqyrtohen 3 oferta për blerjen e Alitalia dhe se njëra prej tyre mund të jetë e duhura, duke shtyrë afatin e përfundimit të marrëveshjes. EasyJet deklaroi këtë javë se ka shprehur një interes të ri për linjën ajrore, ndërsa Lufthansa bëri të ditur se ka dërguar një dokument, ku shpalos propozime të reja për Alitalia.
Linja low-cost Wiz Air, që deklaroi në Janar se është interesuar vetëm për një pjesë të biznesit të firmës italiane, ka bërë ofertën e tretë. Qeveria italiane ka thuajse një vit që kërkon investitorë të rinj, por procesi i shitjes është vonuar prej pasigurisë së paraqitur muajin e kaluar nga zgjedhjet kombëtare.
Alitalia, dikur një simbol i lulëzimit ekonomik të Italisë pas luftës, ndodhet tashmë në vështirësi për të konkurruar me rivalët low cost. Me një staf prej 12,000 persona, Italia kërkon një blerës që është i gatshëm të garantojë mbijetesën e linjës ajrore pa bërë shkurtime të mëdha. Firma gjermane Lufthansa bëri të ditur në Nëntor se oferta përfshin një pjesë të madhe të flotës së Alitalia, por vetëm gjysmën e stafit.
Detajet e ofertës së re nuk janë bërë ende publike. Mediat italiane raportuan këtë javë se Easyjet është bashkuar me firmën e kapitalit privat Cerebrus dhe Air France për të bërë ofertën, por kompania franceze bëri të ditur më vonë se nuk ka interes. Për të lehtësuar negociatat, Ministria deklaroi se ka zgjatur afatin e përfundimit të një marrëveshje me 6 muaj, apo deri në Tetor të këtij viti.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.