Shtyhet taksa e pronës – Ahmetaj: 2018-ta periudhë tranzitore, aplikohet me 1 Janar 2019
Bashkitë ende nuk janë gati për të aplikuar metodologjinë e re të llogaritjes për taksën e pronës. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka theksuar ky vit do të jetë një periudhë tranzitore, në mënyrë që më 1 Janar 2019 të fillojë aplikimi i plotë. Metodologjia e re hyri në fuqi më 1 Prill, edhe pse nuk ishte gati kadastra fiskale.
“Taksa e pronës ka një metodologji kristal të qartë. Ne kemi shpërndarë tabelat për bashkitë. Taksa e pronës nuk është një taksë e re, nuk është rritur, është bazuar te vlera. Do ti japim mundësi tatim paguesve që të dinë se për çfarë janë duke paguar dhe njësive vendore që të ketë një kontroll më të mirë mbi territorin, të ketë mbledhje taksash transparente dhe jo afrofe. Qeverisja vendore të ketë një kontroll te rreptë. Periudha 2018 është një periudhë tranzitore, që i lejon njësive vendore të përgatiten më mirë në mënyrë që në 1 janar 2019 të gjitha njësitë vendore të aplikojnë taksën e pronës në bazë të vlerës”, tha Ahmetaj.
Nga ana tjetër, ende mbetet e paqartë se si do të funksionojë faturimi i qytetarëve, nëse do të mblidhen disa muaj bashkë apo do të vijohet me mënyrën e vjetër të llogaritjes deri sa secila nga bashkitë të jetë gati për të aplikuar metodologjinë e re.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.