Shtypi në Itali vlerëson Strakoshën – De Biasit i duhet të vendosë për titullarin ndaj “axurrëve”

Mediat italiane kanë vlerësuar paraqitjet e fundit të Thomas Strakoshës, duke e quajtur asi nën mëngë i Lazios. Portieri do të mbushë 22 vjeç të dielën në fushën e lojës përballë Cagliari-t, ku do të nisë si titullar për ndeshjen e 7-të radhazi dhe të 11-ën në këtë sezon.
“Mungesa e Marchetti-t nuk është ndjerë, përkundrazi, me shqiptarin në fushë nisi seria pozitive për Inzaghin, që mban ndezur shpresat për Champions-in”, shkruan një media pranë lacialëve.
Në verë gjithçka dukej e zymtë për Strakoshën, i cili ishte pranë largimit, por shitja e Berishës tek Atalanta, vështirësitë e Vargic dhe dëmtimet e Marchettit i kanë dhuruar portierit të ri një mundësit, të cilën ai e ka shfrytëzuar më së miri.
Tani një mundësi të tillë ai kërkon ta shfrytëzojë tek kombëtarja. Të premten kundër Italisë, Berisha është i skualifikuar dhe Strakosha është në një garë për titullar me Alban Hoxhën.
Në nëntor, pas kartonit të kuq të Berishës, De Biasi preferoi portierin e partizanit, por prej atëherë ka kaluar shumë kohë.
Trajneri i Kombëtares do të shpallë ditën e hënë listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjen e 24 marsit me Italinë dhe për miqësoren me Bosnjën në 28 Mars në Elbasan. Ndonëse formacionin do ta njohim vetëm ditën e ndeshjes, mund të ketë një shans për të dy portierët pse jo.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.