Shtyrja e fikjes së analogut – Bllokon kalimin e brezit 800 Mhz për internetin
Shtyrja e fikjes së transmetimeve analoge ka krijuar një përplasje në vendimmarrje mes Autoritetit të Mediave Audiovizuale dhe atij të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Shqipëria duhet të kalonte përfundimisht në epokën e transmetimeve televizive dixhitale, pas fikjes së analogut në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit, më datë 10 shtator.
Por, kalimi i plotë në dixhital zgjati vetëm një ditë dhe Autoriteti i Mediave Audiovizuale vendosi të lejojë transmetimet analoge deri në 15 janar të vitit të ardhshëm. Përveç paradoksit të shtyrjes së radhës për një proces të paralajmëruar prej vitesh, kjo çështje ngre një problem tjetër. Brezi 800 që aktualisht shfrytëzohet për transmetime televizive analoge duhet t’i kalojë në përdorim operatorëve të telekomunikacioneve. Që në fillim të muajit korrik, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka hapur zyrtarisht garën për dhënien në përdorim të frekuencave në brezin 800 Mhz.
Por, vendimi për të shtyrë fikjen e analogut pritet të krijojë pengesa në këtë proces, për shkak të problemeve teknike që mund të shkaktojnë interferencat eventuale në frekuencat në fjalë. Rrjedhimisht, shfrytëzimi nga operatorët e shërbimeve të lëvizshme ka pak gjasa të nisë para datës 15 janar 2019. AKEP vlerëson se dhënia e brezit 800 Mhz në përdorim për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike do të ketë një impakt të ndjeshëm në të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.
Zhvillimi i infrastrukturës broadband në të gjithë vendin do të rriste aksesin në shërbimet elektronike në fusha të ndryshme si në tregti, shëndetësi, edukim apo në shërbimet publike në përgjithësi. Përmes këtij brezi, pritet të rritet depërtimi i shërbimit te internetit në familjet shqiptare, edhe në zonat rurale dhe me dendësi të vogël popullsie.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.