Shuarja e zjarreve nga ajri – Prençi: Kosto e fluturimit, nga 200 mijë-700 mijë lekë në orë

Një fluturim për shuarjen e vatrave të zjarrit nga ajri i kushton buxhetit të shtetit nga 200 mijë deri në 700 mijë lekë në orë .
Të dhënat bëhen me dije nga kreu i Shërbimit të Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, i cili tha se kontratat e shërbimit lidhen rast pa rasti, ndërsa kosto varion sipas kapaciteteve të helikopterëve.
“Pjesën më të madhe të zjarreve në të gjithë territorin e Shqipërisë e kemi mbuluar me operacione ajrore ‘Vivacopter’ e kontraktuar në kushtet e emergjencës me akt-marrëveshje rast pas rasti në kushte të detyruara. Janë kryer rreth 200 orë fluturime ajrore nga kjo kompani. Kostoja operacionale është e ndryshme për mjete të ndryshme ajrore. Ka helikopter që 1 orë operacionale varion në 200 mijë lekë/ora dhe shkojnë deri në 350 mijë lekë/ora. Ka edhe avionë që shkojnë në 700 mijë lekë ora, pra sipas kapaciteteve bartëse të helikopterit, pra sipas kapaciteteve operacionale”, tha kreu i Shërbimit të Emergjencave Civile.
Sipas Prençit, strukturat shtetërore do të përllogaritin në fund faturën financiare për shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë vendin, por sipas tij kjo kosto është shumë herë më e ulët në raport me dëmin ekonomik që do të shkaktohej në rast të mos shuarjes së zjarreve në kohë.
“Kostoja financiare që është përdorur për operacione qoftë nga toka qoftë nga ajri është komplet e papërfillshme me atë çka zjarrëfikësit shqiptarë, emergjencat civile, forcat e ushtrisë i kanë shpëtuar Shqipërisë dhe mjedisit në Shqipëri. Janë angazhuar shumë aktorë dhe faktorë për të bërë më të mirën e mundhsme dhe më pak të kushtueshme për Shqipërinë”, shtoi Prençi
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.