Më shumë vende të lira pune tek Shërbimi Kombëtar i Punësimit – Nis aksioni për bashkëpunim me bizneset

Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka ndërmarrë një nismë të re për të zgjeruar rrjetin e bizneseve që bashkëpunojnë me këtë zyrë dhe për të mbajtur një lidhje të vazhdueshme dhe të monitorueshme bashkëpunimi.
Konkretisht, të gjitha zyrat e punësimit kanë nisur aksionin për të kontaktuar të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetin apo qarkun përkatës, përmes takimeve apo telefonatave e mënyrave të tjera të kontaktit.
Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në një postim në rrjetet sociale tregon se ka monitoruar nga afër ditën e hënë këtë proces në Zyrën e Punësimit Durrës, ndërsa ka zbuluar edhe ecurinë e aksionit.
“Vetëm për një periudhe dy javore, nga specialistët e kësaj Zyre Punësimi janë kontaktuar 334 biznese nga të cilat janë siguruar 752 vende të lira pune, kryesisht në sektorët e industrisë përpunuese, të shërbimeve dhe tregtisë”, shkruan Artur Micko.
Micko shprehet se kjo nisëm pritet të rrisë ndjeshëm numrin e bizneseve që bashkëpunojnë me Zyrat e Punësimit për plotësimin e vendeve të lira të punës që ato krijojnë.
Krahas bizneseve, përfituesit më të mëdhenj në këtë drejtim janë qytetarët që zgjedhin të paraqiten pranë këtyre zyrave për të kërkuar punë, të cilët do të mund të kenë më shumë shanse për punësim dhe të zgjedhin nga një numër më i lartë ofertash pune.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.