Si do bëjmë plazh sivjet? – Zbardhen protokollet anticovid, masat qe duhet të zbatohen nga bizneset
Pavarësisht se ka një rënie të ndjeshme të numrit të rasteve pozitive me COVID-19, sipërmarrjet aktive turistike do të duhet të zbatojnë protokolle specifike, që janë miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Turizmit, me qëllim frenimin e përhapjes së infeksionit. Te këto biznese përfshihet çdo sipërmarrje që ofron shërbimin e akomodimit, ushqimit/pijeve, plazheve, aktiviteteve rekreative, transportit të turistëve vendas dhe/ ose të huaj, udhërrëfyesve turistikë etj, përfshirë gjithë stafin e tyre me kohë të plotë apo të pjesshme.
Referuar dokumentit të miratuar, për brezin e shërbimeve në plazhe, përcaktohet se tavolinat në beach bar duhet të kenë distancë 2 m larg njëra tjetrës. Ndërkohë që, masat janë të ndryshme për plazhet ranore nga ato shkëmbore. Kështu, në plazhet me rërë, për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve duhet të respektohet një distancë prej të paktën 7m nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit; hapësira nga çadra në çadër nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 m, ndërsa duhet të ketë në dispozicion të pushuesve 1 dush me ujë të ëmbël për çdo 100 çadra, i cili duhet të pajiset me sapun apo xhel higjienizues.
Dushi është detyrim edhe për plazhet me përbërje shkëmbore, ndërkohë që për këto plazhe kërkohet që hapësira midis çadrave duhet të jetë të paktën 3 m. Protokollet anticovid ishin aktive edhe sezonin turistik të vitit të kaluar, ndërkohë që nuk ishin të pakta rastet kur ato nuk zbatoheshin nga ana e subjekteve. Kryesisht shkeljet lidheshin me distancën midis çadrave apo tavolinave në bare e restorante. Ndërkaq, vitin që kaloi u miratua edhe një akt normativ, ku nëpërmjet ndryshimeve u parashikuan penalitetet për subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike në stacionet e plazhit, që i thyejnë rregullat, duke ndikuar direkt në përhapjen e infeksionit SARS COV2. Sipas Aktit Normativ në rast shkeljeje parashikohet dënimi me gjobë 700,000 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje, parashikohet edhe mbyllja e veprimtarisë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.