Si do ndryshojë Kodi Zgjedhor? – Amendimet, “shtrëngohen” financimet dhe shpenzimet në fushatë
Pavarësisht mungesës së opozitës, Partia Socialiste do të vijojë punën për amendimin e Kodit Zgjedhor, duke përmbushur detyrimin ligjor që ai të jetë gati 6 muaj para zgjedhjeve vendore.
Në një takim të posaçëm për reformën zgjedhore, janë prezantuar tre shtyllat kryesore ku do të ndërhyhet, duke reflektuar edhe rekomandimet e OSBE ODIHR.
Konkretisht amendimet parashikojnë depolitizimin e komisioneve zgjedhore, kontrollin mbi financimet dhe shpenzimet e partive dhe garantimin e ekuilibrit gjinor, ku gratë të kenë të garantuar prezencën në lista me 30 për qind.
Çuçi ka evidentuar disa herë se ky nuk është një draft i Partisë Socialiste, por i shumë aktorëve, ndërsa i ka bërë apel edhe opozitës që të jetë pjesëmarrëse.
Një ditë më parë, Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka prezantuar platformën që sipas tij do të mundësojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Platforma e opozitës mbështetet në katër pika, që sipas Bashës janë thelbësore. Dekriminalizimi i procesit zgjedhor, ku përfshihet edhe vettingu i politikanëve.
Masat kundër shitblerjes së votës. Reduktim shpenzimeve të fushatës, financim shtetëror 100%. Përdorimi i teknologjisë në votim, votim dhe numërim elektronik.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.