Si do të jetë bota në vitin 2075? Wozniak jep parashikimin e tij

Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak ka dhënë parashikimet e tij se si do të jetë bota në vitin 2075. Sipas tij, disa “përbindësha” teknologjikë e ekonomikë do të vazhdojnë të sundojnë botën edhe për shumë vite.
Në një intervistë për USA Today, Wozniak ka dhënë “profecitë” në kuadër të temës së Comic-Con “E ardhmja e Njerëzimit: Ku do të jemi në 2075-ën?”.
“Apple do të jetë prezentë për një kohë të gjatë, si IBM”, tha ai. “Shiko sa para ka Apple. Ata mund të investojnë në çdo gjë. Do të ishte qesharake nëse do të prisnim që ata të mos jenë vërdallë në 2075. E njëjta gjë vlen edhe për Google dhe Facebook”.
Ai këmbënguli se qytete të mëdha do të ndërtohen në shkretëtirë. Njerëzit do të jetojnë në struktura me kupola dhe se do të veshin kostume të veçanta për të dalë jashtë. Ky parashikim ngjan edhe më bukur se Las Vegasi.
Sipas Wozniak, profesioni i doktorëve do të ketë vdekur, pasi njerëzit do të përdorin inteligjencën artificiale për t’u diagnostifikuar. Kjo nënkupton fundin edhe për seriale si Dr House.
Edhe një koloni në Mars do të jetë vendosur deri në 2075, por ai shprehet jo i sigurt nëse do të kemi takuar alienë deri atëherë ose jo. Por, sipas tij ia vlen të tentojmë të komunikojmë me ta.
Këto parashikime, sado futuristike, janë më të besueshme se ato të drejtorit të inxhinierisë pranë Google Ray Kurzweil. Sipas tij njerëzit do të zgjedhin të bëhen gjysmë-robotë, e kjo teknologji do të jetë po aq tërheqëse sa iPhone-ët sot.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.