Si funksionon vaksina kubane Soberana? – Është mbi 90 % efektive edhe kundër variantit Delta

Vaksina Soberana duket se funksionon. Strategjia e Kubës, e cila në fillim të pandemisë Covid-19 vendosi të mos priste që pjesa tjetër e botës të zhvillonte vaksina kundër Sars-CoV-2 dhe të “shkonte vetëm”, po jep rezultat. Sipas asaj që pretendojnë studiuesit kubanë që testuan Soberanën, imunizimi me tre doza të vaksinës do të kishte një efikasitet shumë të lartë, më të madh se 90% dhe për këtë arsye të krahasueshëm me atë të vaksinave mRna (Pfizer-BioNTech dhe Moderna).
Sipas autorëve, Soberana është mbi 90% efektive në mbrojtjen kundër infeksionit simptomatik Covid-19 (kur administrohet në tre doza). Për më tepër, administrimi duket të jetë efektiv edhe kundër variantit më të transmetueshëm i virusit, Delta, të cilit i atribuohen praktikisht të gjitha rastet e Covid-19 në ishull.
Soberana nuk është e vetmja vaksinë e zhvilluar në Kubë: binjakja e saj quhet Abdala dhe është prodhuar nga Qendra për Inxhinierinë Gjenetike dhe Bioteknologji, gjithashtu me qendër në Havana. Korrikun e kaluar, zhvilluesit e Abdala publikuan të dhëna në lidhje me një provë klinike të fazës III, të kryer në 48,000 njerëz, duke treguar se edhe kjo vaksinë do të ishte më shumë se 90% efektive; Megjithatë, rezultatet e plota të provës nuk janë ende të disponueshme.
Agjencia Kubane e rregullimit të barnave miratoi përdorimin e Abdala dhe Soberana për të rriturit përkatësisht në korrik dhe gusht dhe më pas filloi ta eksportonte në Venezuelë, Vietnam, Iran dhe Nikaragua dhe zyrtarisht i kërkoi Organizatës Botërore të Shëndetësisë të miratonte përdorimin e tyre në mbarë botën. Më në fund, hapi tjetër ishte shtrirja e administrimit për fëmijët mbi moshën dy vjeç. Aktualisht, rreth 89% e popullsisë Kubane ka marrë të paktën një dozë Abdala ose Soberana.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.