Si i fshehin hotelet të ardhurat? – Paradoksi i turizmit, bashkitë mblodhën vetëm 2.7 mln euro taksa

Informaliteti në strukturat akomoduese në vend vijon të mbetet një shqetësim i vazhdueshëm, ndërsa llogaritet në nivelin 33 për qind. Këtë gjë e tregojnë edhe shifrat e vjeljes së taksave nga pushteti lokal. Referuar të dhënave nga raporti i financave vendore, të ardhurat nga taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier për vitin vitin 2018, shënuan një nivel prej rreth 214.1 milionë lekë apo rreth 2.7 mln euro, me një rritje rritje me rreth 17% në terma vjetorë.
Por gjithsesi në nivel shumë të ulët nga pritshmëritë. Konkretisht, për vitin që lam pas rreth 44.6% e të ardhurave nga taksa e hotelit u mblodhën në bashkinë Tiranë, ndjekur nga bashkia Sarandë me rreth 11.6% të të ardhurave totale. Ndërkohë, niveli i të ardhurave të mbledhura nga bashkitë e tjera me potencial turistik rezulton të jetë relativisht i ulët.
Dukshëm kjo përkthehet në probleme strukturore në lidhje me regjistrimin e strukturave akomoduese dhe raportimin e numrit të pushuesve. Në të gjithë vendin janë rreth 3791 struktura akomoduese, nga të cilat 33 për qind apo 1251 struktura janë informale, ku përfshihen dhomat private me 16 për qind, shtëpitë private me 14 për qind dhe bujtinat me 3 për qind.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.