Si i siguronte të ardhurat buxheti i Shqipërisë në vitet ’20? Nga taksat e tatimet te operacionet në bursën e Francës e Italisë

Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, shteti i ri trashëgoi nga e kaluara e perandorisë otomane, një sistem tatimor të prapambetur. Pavarësisht jetagjatësisë së shkurtër, qeveria e Ismail Qemalit arriti të vendosë sovranitetin fiskal megjithatë nuk arriti të ndërmerrte një reformë modernizuese të sistemit tatimor. Struktura e taksave në këtë periudhë reflektonte realitetin ekonomik të vendit, pra bazohej kryesisht te fshatarësia e te prodhimi bujqësor. Pas viteve ’20 e sidomos në periudhën e mbretërisë, sistemi tatimor do të bëhej pjesë e reforme të plotë që shkon paralel me zhvillimet ekonomike. Krahas mobilizimit të fortë të strukturave shtetërore për mbledhjen e taksave e tatimeve apo të detyrimeve të prapambetura, legjislacioni fiskal do t’i nënshtrohej një reformimi terësor ku nga Perëndimi do të huazoheshin praktikat e tatimeve e të taksave.
Në vitet ’20 kur vendi kalon në një fazë më të stabilizuar, nis të ndryshojë edhe struktura e ekonomisë e si rrjedhojë edhe do të shtoheshin burimet për arkën e shtetit. Referuar raportit statistikor të botuar në vitin 1928 me titullin “Shqipëria 1927” nga Inspektori i Ministrisë së Brendshme të asaj periudhe Teki Selenica, buxheti i shtetit siguronte të ardhura nga 54 lloje taksash e tatimesh apo burimesh të tjera. Referuar këtij botimi, Ministria e Financave, çdo vit, ishte e detyruar t’I paraqiste parlamentit për shqyrtim e miratim Buxhetin e përgjithshëm, me planifikimet për të ardhurat dhe shpenzimet shtetërore, sëbashku me tabelat përkatëse; një praktikë kjo që vijon të aplikohet ende sot.
Të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e shtetit planifikoheshin në buxhet e paraqiteshin për shqyrtim në parlament, në sesionin e marsit i cili nuk mund të mbyllej pa u miratuar buxheti. Në rast se për ndonjë arsye nuk arrihej miratimi i buxhetit, atëhere në fillim të vitit financiar, pushteti përmbarues kishte të drejtën që të kërkonte një fond të përmuajshëm për secilën degë të administratës por ky fond nuk mund të kapërcente 1/12 e shpenzimeve të zakonshme të buxhetit të mëparshëm.
Krahas të ardhurave që siguroheshin nga shfrytëzimi i pyjeve apo nga koncesionet e ndryshme, ishin me dhjetëra taksa të tjera, një pjesë e të cilave ishin fikse e një pjesë tjetër progresive. Krahas taksave e tatimeve të zakonshme, arka e shtetit në atë periudhë siguronte të ardhura edhe nga interesi mbi kreditë e vonuara, nga ndryshimet e kursit të këmbimit, nga Bursa Franceze e Italiane. Në materialet e meposhtme që publikon SCAN është lista e 54 burimeve të buxhetit të shtetit në vitet ’20:
K.KUÇAJ/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.