Si ndahet tregu i punës? – Kryeson tregtia dhe serviset e automjeteve
Rreth 42,495 subjekte janë të regjistruara në Zyrat e Punësimit si biznese aktive, me një numër punonjësish prej 479.161. Të dhënat mbi tregun e punës janë publikuar në Buletinin vjetor për vitin 2017, nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit. 98 për qind prej tyre e përbëjnë subjektet private dhe vetëm 2 për qind ato shtetërore. Shifra e ndërmarrjeve aktive rezulton 11 për qind më e lartë se një vit më parë, dhe përbën vetëm 37 për qind të totalit të subjekteve të deklaruara në tatime.
Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka bërë një analizë të tregut të punës, u rezulton se në krye të listës sa i përket kategorive të subjekteve të regjistruara qëndron grupi tregti me shumicë & pakicë; riparim mjetesh motorike dhe motoçikletash me 36%, e ndjekur nga aktivitete strehimi shërbimi ushqimor me 10 për qind, dhe numri më i ulët i ndërmarrjeve i përket aktivitete të shëndetit njerëzor dhe punë sociale. Subjektet private të regjistruar në zyrat e punës me pronësi të përbashkët apo të huaj, përbëjnë vetëm 7 për qind të totalit.
Bizneset e mëdha zhvillojnë aktivitetin në degët e industrisë përpunuese, ndërtim, shërbimeve administrative (call center) dhe aktivitete financiare. Ndërsa bizneset e vogla janë të fokusuara pothuajse në të gjithë spektrin e aktiviteteve ekonomike.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.