Si pastrohen paratë e pista në Shqipëri? – DPPPP publikon analizën: përmes pasurive të paluajtëshme, mallra luksi e transferta me jashtë

Ndërsa ka pasur një ulje të rasteve të sinjalizuara për fonde të dyshimta për vitin 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka analizuar tipologjitë kryesore përmes të cilave individët apo subjektet fusin në qarkullim paratë e pista.
Tipologjitë janë të shumta, ndërkohë që në raportin e punës për vitin 2020, kjo Drejtori raporton se Pandemia ka shtuar mundësitë për pastrimin e parave.
Investimet e konsiderueshme në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh, është një prej kanaleve kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri; investime në mallra luksi nga persona të cilat nuk justifikojnë burimin e fondeve apo persona me precedentë penalë; transferta të dyshimta (në mbërritje apo në dalje edhe në tentativë) me përfshirje të subjekteve/shtetasve të huaj dhe të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës; sponsorizime/ dhurime/ dhënie huaje nga/ për të tretë pa u konstatuar lidhje të mundshme mes palëve; transaksione të pazakonta krahasimisht me profilin financiar të personit/subjektit; mashtrime të formave të ndryshme; transaksione financiare të kryera nga persona me precedentë të mëparshëm penalë apo persona të lidhur me ata me precedentë; transferta të dyshimta me vende të konsideruara me risk; ndërmjetësime të dyshimta në transaksione nga profesionistë të lirë për përftime të dyshuara pjesërisht si të paligjshme, transferta të mëdha vlerash (brenda dhe jashtë vendit) midis personave juridik të pa mbështetura me dokumentacion;
Gjatë vitit 2020, në Drejtorinë e Përgjithëshme të Parandalimit të Pastrimit të parave janë dërguar 1,409 sinjalizime, ndërkohë që po gjatë vitit të shkuar Shqipëria u fut në listën e vendeve me risk të lartë për pastrim parash. Pjesa dërrmuese e sinjalizimeve kanë ardhur nga bankat dhe noterët.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.