Si po e nxjerrin paranë cash nga qarkullimi? – Ja si po funksionon skema në vendet e tjera, nga Europa tek Japonia

Pionierët europianë janë Suedia, Danimarka dhe Finlanda, teksa pasojnë Irlanda, Belgjika dhe Sllovenia, por edhe Greqia, Polonia, Portugalia po ndjekin të njëjtën rrugë së fundmi. Dhe nëse në Lindje, Koreja e Jugut e filloi që në 1999, Japonia po angazhohet tani për këtë. Sa i përket Italisë, kemi shfaqen e modelit uruguaian. Me qëllim të luftimit të evazionit fiskal por edhe të nxitjes së zhvillimit digjital të administratës publike dhe ekonomisë kombëtare. Kjo me qëllimin e promovimit të modernizimit të industrisë bankare, por duke pasur parasysh nga një anë sigurinë në internet dhe nga ana tjetër respektimin e privatësisë.
Modeli i Uruguait
Gjeografikisht i largët, përvoja uruguaiane duket në mënyrë paradoksale më e afërt me qëllimin italian të një kthimi të parave (rimbursimi për çdo blerje) në TVSH. Montevideo ka realizuar një skemë të zbritjes të TVSH-së, që synon kryesisht luftimin e evazionit në turizëm (restorante, bare, hotele dhe makinave me qira). Ofruesi i shërbimit lëshon një faturë standarde të TVSH-së, ndërkohë që konsumatorit, i cili paguan me ATM dhe mjete të ngjashme elektronike (p.sh. kartat e debitit, jo kartat e kreditit) menjëherë i jepet një zbritje deri në 4%. Shitësi, nëse është një kompani e madhe, do të rimbursohet nga organet tatimore me një kredi tatimore, e cila gjithashtu mund të kompensohet kur paguan TVSH-në. Nëse në vend të kësaj është një kompani e vogël, ajo do të marrë çmimin e plotë të shitjes dhe më pas baanka/kompania që administron pagesat elektronike do të rimbursohet për TVSH-në.
Shembujt e fundit të virtytshëm në Europë
Sipas raportit më të fundit të Ambrosetti për Revolucionin e Cashless, Irlanda, Belgjika dhe Sllovenia janë vendet europiane që kanë bërë përparimin më të madh gjatë katër viteve të fundit dhe janë “të bashkuar në identifikimin e qartë të një vizioni të zhvillimit digjital dhe pa-cash të vendit”. Në veçanti, Irlanda dhe Belgjika kanë adoptuar një përzierje detyrimesh dhe stimujsh për bizneset, ndërsa një element kryesor në suksesin e Sllovenisë ka qenë strategjia për digjitalizimin e administratës publike.
Sllovenia, rëndësia e të qenurit digjital
Çelësi i përparimit të Ljubljanës është në sinergjinë midis masave të pagesave dhe digjitalizimit kulturor dhe infrastrukturor të vendit. Në katër vitet e fundit, numri i transaksioneve për frymë me karta bankare është rritur me 27.9%. Paralelisht, përqindja e njerëzve që përdorin internetin për të realizuar aktivitetet e tyre është rritur: në tre vjet përdorimi i banking-ut në internet është rritur nga 34 në 42% të qytetarëve, dhe atyre që kanë bërë blerje në internet nga 39 në 51% .
Belgjikë, letërnjoftim dhe aplikacion për të paguar shërbimet
Qeveria e Belgjikës ka punuar në dy nivele: promovimin e digjitalizimit të vendit dhe nxitjen për të përdorur pagesa elektronike. Numri i transaksioneve pa-cash për frymë është rritur me 19.5% në dy vitet e fundit. Në mesin e instrumenteve kundër parave cash, është vendosja e kufirit për pagesat deri në 10% të vlerës së transaksionit dhe një tavan të ulur deri në 3 mijë euro, me gjobë deri në 225 mijë euro në rast shkeljeje. Ndër mekanizmat nxitës për klientët dhe tregtarët, sipas raportit Ambrosetti, gjendet faturimi elektronik i miratuar si një procedurë standarde dhe e thjeshtuar, kartën digjitale e identitetit tashmë e integruar nga një aplikacion që lejon pagesën e shërbimeve të ndryshme publike nga telefoni.
Ndaloni përdorimin e parave fizike, të gjitha avantazhet e bankave / Grushti i hekurt i Athinës, linja e butë e Varshavës, ngushtica e Lisbonës
Një rast më vete është evolucioni i Greqisë, e cila pas daljes nga kriza financiare, filloi kufizime të forta në përdorimin e parave cash në 2015. Transaksionet për kokë banori me kartë banke u rritën me + 481.5% në vetëm 4 vjet, duke filluar praktikisht nga zero. Ndër veçantitë gjithashtu ishte dhe detyrimi për të paguar një pjesë të shpenzimeve vjetore me instrumente pa para fizike për të përfituar kështu nga zbritja e taksave. Polonia, nga ana tjetër, ka përfshirë kalimin në pagesa elektronike në një plan më gjithëpërfshirës që përfshin identitetin elektronik, shërbimet shëndetësore, taksimin dhe faturimin elektronik. Transaksionet për frymë me kartë u rritën me 106.6% në katër vjet. Gjithashtu në kryqëzatën elektronike në Lisbonë kundër evazionit të mekanikëve, parukierëve, hoteleve dhe restoranteve, u realizua një mekanizëm zbritjeje në deklaratën e të ardhurave.
Leksioni ndërkombëtar
Kalimi nga paratë fizike, që janë forma e pagesës me të cilën italianët janë më besnikët në botë, në mjetet e pagesës elektronike paraqet një revolucion të vërtetë kulturor dhe kërkon një sinergji të instrumenteve afatshkurtra, të tilla si stimuj dhe ulje të kostove, por edhe investime afat gjata për alfabetizimin digjital. Sepse është një revolucion që sjell jo vetëm përfitime në luftën kundër evazionit, por përfshin qytetarët, sistemin industrial, administratën publike dhe sistemin e tërë vendit. Sidoqoftë sipas shumë analizash të kryera rezulton se ky proces duhet bërë më kujdes dhe jo agresivisht sidomos duke pasur parasysh shtresat e pafavorizuara të popullatës sic janë, të moshuarit të cilët hasin vështirësi në fushën e instrumenteve elektronikë, apo të rinjtë të cilët nuk disponojnë llogari bankare ende apo tjetër. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.