Si po ecën tregtia e jashtme me Spanjën? Instat: Rriten eksportet me 42% krahasuar me korrik 2018
Në korrik, Spanja është një nga vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të ndjeshme të eksporteve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instat ka bërë publikimin më të fundit të tregtisë së jashtme, ku rezulton se mallrat e eksportuar drejt Spanjës në korrik 2019 janë rritur me 42.1 %.
Në korrik 2018, referuar shifrave të Instat, Shqipëria ka eksportuar afro 1.2 miliardë lekë mallra drejt Spanjës, ndërsa në korrik 2019, afro 1.7 miliardë lekë mallra. Mirëpo, duke analizuar të dhënat e Instat mbi tregtinë e jashtme deri në korrik e jo vetëm në korrik, rezulton se në periudhën 7 mujore, Spanja është një nga vendet me të cilat Shqipëria ka ndjerë uljen më të madhe të eksporteve.
Në janar- korrik 2019, eksportet drejt Spanjës ranë me 19 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Sipas Instat, në 7 mujorin e parë të vitit 2019, vlera e mallrave të eksportuara drejt Spanjës ishte 11.2 miliardë lekë, ndërsa në janar- korrik 2018, eksportet drejt kësaj të fundit kanë qenë në vlerën e 13.8 miliardë lekëve, me një rënie prej 2.6 miliardë lekësh.
Nga ana tjetër, për sa i përket importeve nga Spanja, si në korrik ashtu dhe në janar- korrik 2019 kanë qenë në rënie krahasuar me korrik apo janar- korrik 2018. Në 7 mujorin e vitit 2018, Shqipëria importoi 7.96 miliardë lekë mallra nga Spanja, ndërsa në janar- korrik 2019, kjo vlerë ishte 6.77 miliardë lekë, me një rënie prej 14.9 %
Referuar Instat, Spanja është vendi i tretë me të cilin Shqipëria ka ndjerë rënien më të madhe të importeve për këtë pjesë të vitit. Ndërsa, për sa i përket korrikut, importet nga Spanja u ulën me 28 %. Duke analizuar të dhënat e Instat lidhur me tregtinë e jashtme me Spanjën, importet gjatë këtij 7 mujori nuk mund të themi se kanë ‘shkëlqyer’
Nga ana tjetër, për sa i përket eksporteve, pavarësisht të dhënave për të gjithë këtë periudhë, në korrik 2019 dhanë një shenjë pozitive. Rikujtojmë se viti është nisur me një rënie të theksuar të eksporteve drejt Spanjës, mirëpo do të na duhet të ndjekim ecurinë e të dhënave në muajt në vijim, për të parë nëse edhe fundviti do t’i përngjasojë fillimit të 2019.
Jenida Vladi/ SCAN
Lexo edhe:
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.