Si studiot Marvel ndërtuan një univers me “hite”

“Guardians of the Galaxy” përfshiu në kastin e tij aktorë të njohur për role komike, një keçist, një aliene jeshile, një pemë dhe një rakun që flet. Këngët e përfshira ishin të viteve ’70-’80, e megjithatë arriti të fitonte 773 milionë dollarë.
Këtë javë del vazhdimi i filmit, i cili mund të arrijë edhe më shumë fitime. Në total, kompania Marvel, e cila ka krijuar fumettit e superheronjve dhe ka të drejtat e tyre, ka fituar mbi 22 miliardë dollarë prej vitit 2002, me një mesatare prej 500 milionë dollarësh për film.

Arsyeja e këtij suksesi është se Studio Marvel, në pronësi të Disney, nuk bëjnë thjesht filma me superheronj, por bëjnë filma nga të gjitha zhanret, të cilat përfshijnë superheronj.
“Historitë e treguara në fumetti janë po aq të larmishme si ato që do të gjeje nëpër novela”, thotë presidenti i studiove Marvel, Kevin Feige.
“Është një zhanër filmash i bazuar mbi librat”
Në teori, suksesi i Marvel duhet të vijë vetëm nga brand-i 80-vjeçar, por vështirësitë që po has Warnes Bross me rivalin DC Comics tregojnë se thjesht të kesh superheronj nuk është asgjë, gjithçka është tek mënyra se si i përdor ata.
Mënyra se si Marvel i përdor yjet nuk është inovative, por është një rikthim se si Hollywood funksiononte në periudhën e artë, në sistemine studiove. Studio e filmave kontraktonin yje kinemaje dhe i përdornin në një varietet filmash dhe zhanresh.
Marvel bën të njëjtën gjë: yjet e studios si: Robert Downey Jr., Scarlett Johansson, Chris Evans, Mark Ruffalo e një pafundësi yjesh të tjerë që vetëm shtohen janë të kontraktuar për të marrë pjesë në një larmi filmash, ku herë janë protagonistë e herë bashkëpunëtorë. Audiencat natyrisht që shkojnë atje ku shkojnë dhe aktorët e tyre të preferuar.
Thomas Schatz, një historian filmash dhe ekspert i industrisë thotë se kjo e ka ndihmuar Marvel të kontrollojë brand-in e saj më mirë se kushdo tjetër në Hollywood.
“Në kohët e studiove të vjetra, ishte kush të kontraktonte yjet. Në ditët e sotme, është kush ka pronësinë intelektuale, dhe ky varietet pronësie i lejon ata të rregullojnë prodhimin dhe output-in. Ata po i shfrytëzojnë të dyja këto me një ritëm që me standarded e sotme është i jashtëzakonshëm”, thotë ai.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.