Si të argëtoheni në fundjavë?

Përpara se të vijë fundjava do të ishte mirë të planifikonit diçka, jo vetëm që do t’ju motivojë për të kryer punët që keni sa më shpejt por është edhe një mënyrë e mirë për të mos humbur kohë gjatë fundjavës duke zgjedhur se çfarë duhet të bëni apo ku duhet të shkoni.
- Luani një sport
Fundjava është koha e përsosur për të luajtur sportin tuaj të preferuar me miqtë, apo për të eksploruar një sport të ri. Të jeni të bindur që do t’ju ndihmojë të çlironi energjitë negative e do të ndiheni më të relaksuar për fillimin e një jave të re.
- Bëni një piknik
Organizoni një piknik me miqtë tuaj, ndani ushqimet dhe lojërat që gjithsecili duhet të sjellë me vete në park. Ka shumë mënyra për tu argëtuar kur bëni një piknik, mund të luani lojëra të ndryshme me miqtë tuaj si dhe të bisedoni rreth temave të ndryshme që ngjallin interes.
- Shikoni një film
Nëse nuk dëshironi të shkoni diku atëherë vendosni me miqtë tuaj se çfarë filmi doni të shikoni, përgatisni së bashku kokoshka apo ushqime të tjera të thata për të shoqëruar filmin. Nëse jeni mërzitur duke parë filma atëherë mund të filmoni veten tuaj dhe shoqërinë, në këtë mënyrë mund të shikoni filmin tuaj në të ardhmen.
- Vizitoni vende të bukura
Fundjava është momenti i duhur për të vizituar vende të bukura, e sidomos nëse moti është në favorin tuaj. Vendosni një pikë takimi me shoqërinë tuaj dhe nisuni drejt një udhëtimi 1 ditor. Kjo do të jetë mënyra më e mirë për të nxjerrë lodhjen e javës së mëparshme.
- Lexoni një libër
Shpeshherë fundjava është momenti ku duam të qëndrojmë në shtëpi shtrirë e nëse është e mundur të qëndrojmë pa lëvizur fare. Por nëse qëndroni në shtëpi nuk ka asgjë më të mirë se sa të lexoni një libër. Libri është një formë shumë e mirë relaksimi e cila ja u sjell botën në shtëpi pa qenë nevoja për të lëvizur.
- Shkoni në një qendër tregtare
Nëse e shikoni fundjavën si mundësinë tuaj për të dalë e argëtuar, qendra tregtare është zgjedhja më e mirë që mund të bëni. Edhe nëse nuk keni shumë para, në një qendër tregtare ora kalon pa u ndjerë, duke vështruar vitrinat apo dhe thjesht duke pirë kafe me një mik.
Viola Hydi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.