Si të fitoni një vend pune?

Performanca gjatë një interviste është shumë e rëndësishme pasi është një nga mënyrat për tu dalluar nga aplikuesit e tjerë. Ju duhet t’i tregoni panelit intervistues apo personit që po ju interviston përse jeni ju personi i duhur për ta fituar këtë punë, duke përshtatur aftësitë tuaja me kërkesat e pozicionit që po aplikoni.
Tregoni shumë rreth karrierës suaj
Zakonisht intervista fillon me një pyetje ku ju duhet të flisni për veten tuaj. Ju duhet të filloni të tregoni çdo hap në karrierën tuaj duke theksuar gjërat më të rëndësishme. Nëse jeni duke aplikuar për çfarëdo lloj pozicione duhet të flisni për aftësitë tuaja por që e karakterizojnë këtë pozicion. Tregoni se si i keni përballuar ju sfidat e ndryshme që keni hasur gjatë viteve të karrierës suaj.
Flisni për kualifikimet tuaja
Është shumë e rëndësishme të tregoni eksperiencat tuaja të mëparshme madje mund të tregoni dhe për certifikatat që keni marrë apo specializimet që keni kryer. Kjo do t’ju poziciononte në kategorinë e kandidatëve që kanë shumë eksperienca dhe njohuri dhe rritet mundësia për t’ia u dhënë juve vendin e punës.
Tregoni histori suksesi
Historitë e suksesit janë pjesë thelbësore e intervistave në ditët e sotme. Punëdhënësit zakonisht pyesin për momente të karrierës tuaj ku ju keni zgjidhur një problem dhe kështu juve ju jepet mundësia të tregoni aftësitë tuaja.
Përdorimi i lehtësirave që krijohen nga pamjet vizuale
Gjatë intervistës ju mund të përdorni avantazhet që krijon pamja vizuale. Mund të realizoni disa slide në PowerPoint ose në mënyra të tjera, ku të paraqisni eksperiencat tuaja. Vizualisht është më e thjeshtë të theksoni ato pika apo mesazhe që doni që të kuptohen më qartë nga intervistuesit, për shembull përdorimi i ngjyrave të forta është një metodë theksimi.
Viola Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.