Si të kundërveprojmë ndotjen e ajrit? Hani salmon. Ja këshillat e studiuesve
Më shumë se 90% e njerëzve në mbarë botën janë të detyruar të marrin ajër të ndotur, e kjo më së shumti prej karburanteve fosile.
Njerëzit më të prekur janë ata që jetojnë në zonat e populluara, ku tranzicioni drejt formave më të pastra të energjisë ende nuk ka nisur. Në veçanti, situata paraqitet më problematike në Azi, ku smogu qëndron mbi qytete e shtrihet deri tek shtëpitë e njerëzve.
Ajri i ndotur përmban lëndë të dëmshme që futen në trupin tonë përmes mushkërive duke shkaktuar probleme frymëmarrjeje dhe kardiovaskulare si astma, aritimia, stresi i shtuar dhe inflamacione, si edhe sëmundje kronike si kanceri dhe diabeti.
Në fakt, ndotja e ajrit është shkaku për vdekjen e parakohshme të mbi 7 milionë individëve në vit.
Teksa presin që ekonomitë e vendeve të tyre të zhvillohen drejt energjive të gjelbra, njerëzit mund të marrin vetë masa për mbrojtjen e shëndetit të tyre.
Sipas studimeve të fundit, vlerat ushqyese të marra mund të vijnë në ndihmë. Kërkuesit kanë zbuluar se ushqimi i mirë mund të vonojë sëmundje të shkaktuara nga ajri dhe madje mund të kthejnë pas efektet negative në disa raste.
Për shumë njerëz kjo do të thotë se duhet të rrisin marrjen e vitaminave. Profesori Jinzhuo Zhao, nga Universiteti për Shëndetin Publik në Kinë ka arritur të përcaktojë disa kombinime ushqyesish, të cilat mund të reduktojnë impaktin e një lënde të dëmshme të quajtur PM 2.5.
Shumë nga ushqyesit përfshijnë acide të ngopura si omega-3, si edhe vitaminat C dhe E. Peshqit vajorë si salmoni janë një burim i madh i omega-3, e cila redukton rreziqet e infarkteve dhe sëmundjeve kardiovaskulare.
Ndërsa vitaminat C dhe E, të cilat gjenden në shumë fruta e perime, arra dhe vajra bimorë, janë antioksidantë të fuqishëm që ndihmojnë trupin të luftojë radikalet e lira. Për njerëzit që nuk marrin mjaftueshëm vitamina përmes ushqimit, suplementet janë një burim i mirë për të marrë këto ushqyes të vlefshëm.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.