Si të punësoheni pa pasur eksperiencë?

Gjithmonë ka ekzistuar paradoksi kur bëhet fjalë për punësimin, ke nevojë për një punë që të fitosh eksperiencë, por gjithashtu nevojitet eksperiencë që të fillosh një punë. Këtu mund të gjeni disa mënyra për të hyrë në tregun e punës për herë të parë.
Punëdhënësit tregojnë se kanë shumë kandidatë të arsimuar që aplikojnë për vendet e punës që ata ofrojnë, por është e vështirë të gjesh aplikantë me eksperiencë pune.
Kandidatët, nga ana tjetër tregojnë se kanë studiuar, janë diplomuar, certifikuar dhe ende nuk kanë mundur të gjejnë një punë pa eksperiencë.
Kriteret e kompanisë për kandidatët fillestarë:
“Njerëz që janë të interesuar të punojnë si pjesë e një grupi. Nuk është e nevojshme të jenë ekstrovert, por duhet të jenë të motivuar.”
Pra, për të fituar punën e parë janë dy tipare kryesorë që duhet t’i ketë një kandidatë: motivimi për të punuar dhe vullnet për të mësuar. Është pikërisht puna juaj e parë që ju lejon të zhvilloni dhe të vini në pah këto aftësi. Blloqet e ndërtimit të një karriere të suksesshme janë: komunikimi i mirë, puna në grup, marrëdhënie me klientë dhe etikë pune.
Aftësitë më të kërkuara në punët e nivelit fillestar:
Shërbimi i klientit
Aftësi komunikuese
Shitjet
Shkrimi
Paketat Microsoft Office
Aftësi organizative
Punë në grup
Aftësi telefonike
Raportime
Zgjidhja e problemeve
Anglisht
Sektorët më të mirë për të gjetur punë kur jeni fillestar:
Shitje
Shërbime financiare dhe Banka
Produkte konsumi
Shërbime mjekësore
Publicitet dhe Marketing
Sipas punëdhënësve, një nga problemet e evidentuara që aplikantët kanë, është se ata kanë mangësi në marketimin e mirë të vetvetes. Kjo do të thotë, se ata nuk dinë se si të formulojnë një CV që të dallojë nga gjithë të tjerat, apo si të jenë profesional në intervistën e punës.
Ajo që ju duhet është praktikë. Më praktikimin e tyre fitoni më tepër eksperiencë, e rrjedhimisht rriten shanset për të fituar një pozicion të mirë pune.
Edhe nëse ende nuk keni gjetur një punë të profilit tuaj, bëni punë vullnetare, përfshihuni në aktivitete lokale, krijoni kontakte me njerëz të ndryshëm, kështu zgjeroni dhe rrjetin e njohjeve tuaja e ndoshta i krijoni vetes mundësi të reja.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.