Siguria e WhatsApp? Miliona përdorues të ekspozuar ndaj hakerve
Ekspertët për siguri kibernetike kanë zbuluar mangësi në funksionimin e shërbimit të mesazheve WhatsApp që u mundëson hakerve të thyejnë llogaritë duke dërguar paraprakisht fotografi me softwer keqdashës.
Përveç aplikacionit të lartpërmendur, edhe shërbimi i popullarizuar për këmbim të mesazheve, Telegram, duket se është vurnerabël ndaj hakimeve.
Sulmi mbi përdoruesit bëhet në kohën kur ky shërbim përdoret përmes web browser-it.
Kompania e specializuar në sigurinë kibernetike, Check Point Research, tha se kishte zbuluar rrugën të cilën e përdorin hakerat, të cilët paraprakisht dërgojnë një fotografi me përmbajtje keqdashëse, e cila nëse hapet nga përdoruesi, me automatizëm i mundëson hakerve të kenë qasje në llogarinë e tij në WhatsApp.
“Nëse një gjë e tillë realizohet, atëherë sulmuesi merr kontrollin e plotë mbi llogarinë me çka fiton qasje në bisedat personale dhe në grup, fotografitë, videot dhe të dhënat tjera të ndara me personat në listë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyrtarët e kompanisë Check Point, Eran Vaknin, Roman Zaikin dhe Dikla Barda.
Check Point thotë se më 7 mars ka njoftuar WhatsApp-in dhe Telegram-in për problemin e lartpërmendur, për të shtuar se nuk ka raportime se hakerët kanë sulmuar ndonjë përdorues.
WhatsApp, që është në pronësi të Facebook-ut ka mbi një miliard përdorues, ndërkohë që Telegram ka mbi 100 milionë përdorues të shërbimeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.